

Merkatoja verore sjell një tjetër zhvillim të rëndësishëm për futbollin shqiptar. Kristjan Asllani është gati të hapë një kapitull të ri në karrierën e tij, duke lënë për herë të parë Italinë dhe duke u nisur drejt një aventure të re ndërkombëtare. Mesfushori kuqezi pritet të veshë fanellën e një prej klubeve më të mëdha të Turqisë, në një lëvizje që ka tërhequr vëmendjen e mediave sportive dhe tifozëve.
Kristjan Asllani pritet të transferohet te Beşiktaş në formë huazimi nga Interi, sipas gazetarit Fabrizio Romano, i njohur për informacionet e sakta në merkato.
Sipas detajeve të marrëveshjes, huazimi do të zgjasë deri në qershor të vitit 2026, ndërsa klubi turk do të mbulojë plotësisht pagën e mesfushorit shqiptar gjatë kësaj periudhe. Në kontratë nuk është parashikuar asnjë klauzolë për blerje të detyrueshme.
Asllani pritet të udhëtojë drejt Stambollit që sot, nëse gjithçka shkon sipas planit. Ky do të jetë përvoja e tij e parë profesionale jashtë kampionatit italian.
Romano thekson gjithashtu se Beşiktaş ishte praktikisht i vetmi klub jashtë Italisë që mori një përgjigje pozitive nga lojtari, pas interesimit të shfaqur për të.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






