Transmetuar më 29-01-2026, 12:40

Në seancën gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, i akuzuari Naim Murseli ka mohuar çdo përfshirje në krimin e rëndë, duke deklaruar para trupit gjykues se nuk ka pasur asnjë marrëveshje për vrasjen e bashkëshortes së tij.

“Nuk kishte asnjë marrëveshje për të vrarë Liridonën”, ka deklaruar Murseli gjatë dëshmisë së tij, duke kundërshtuar akuzat e ngritura nga prokuroria.

Ai ka theksuar gjithashtu se në momentin e vrasjes nuk ndodhej në automjet, as ai dhe as fëmijët e tij. Sipas Murselit, në çastin kur ndodhi ngjarja, ai ka qenë në një distancë prej rreth 20 metrash nga vendi i krimit.

“Ju betohem për dy fëmijët e mi se nuk kam qenë në makinë kur është vrarë Liridona Ademaj, as unë dhe as fëmijët. Kam qenë së paku 20 metra larg”, është shuar ai para gjykatës.

Gjatë rrëfimit të tij, Murseli ka folur edhe për marrëdhënien martesore me viktimën, duke deklaruar se lidhja e tyre kishte qenë e mirë dhe e qëndrueshme. Ai tha se ishte fejuar me Liridona Ademajn në vitin 2010 dhe se çifti ishte martuar më 11 dhjetor 2011, duke ndarë së bashku 12 vite martesë dhe duke pasur dy fëmijë.

Sipas tij, familja kishte jetuar për disa vite në Suedi, ku Liridona Ademaj kishte fituar edhe shtetësinë suedeze, si pasojë e martesës. Murseli e përshkroi bashkëshorten e tij si një nënë të përkushtuar dhe një bashkëshorte devotshme.

Procesi gjyqësor për vrasjen e Liridona Ademajt vijon, ndërsa pritet që në seancat në vijim të administrohen prova të tjera dhe të dëgjohen dëshmi shtesë nga palët e përfshira.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit