

Autoritetet italiane kanë çmontuar një organizatë të strukturuar narkotrafiku, duke zbuluar një laborator modern për përpunimin dhe shpërndarjen e drogës në zonën e Firences. Operacioni u finalizua nga karabinierët, të cilët prej kohësh po monitoronin aktivitetin e dyshimtë të të përfshirëve.
Gjatë ndërhyrjes, forcat e rendit sekuestruan një laborator të mirëorganizuar për rafinimin e kokainës, si edhe 34 kilogramë lëndë narkotike, me një vlerë tregu mbi 1 milion euro në çmim shumice.
Në pranga ranë katër persona, mes tyre një shtetas shqiptar 54-vjeçar dhe tre shtetas kolumbianë, të cilët dyshohen se kishin role kyçe në organizimin dhe menaxhimin e aktivitetit kriminal.
Sipas njoftimit zyrtar të karabinierëve, më 19 të këtij muaji, Njësia Operacionale e Kompanisë Empoli, e angazhuar në luftën kundër trafikimit të drogës, arrestoi të dyshuarit për veprat penale të posedimit, prodhimit dhe rafinimit të lëndëve narkotike. Të arrestuarit janë të lindur në vitet 1972, 1967, 1968 dhe 2003.
Hetimi nisi pasi oficerët vunë re lëvizje të pazakonta pranë banesës së shtetasit shqiptar. Pas kontrolleve të zgjeruara në ambientet përreth, në disa dhoma pas banesës u zbulua një rafineri e plotë kokaine, e pajisur me pajisje profesionale për përpunimin e drogës.
Në laborator u sekuestruan, përveç sasisë së drogës, edhe rezervuarë, peshore, presa, furrë, pompa industriale, makineri për paketim me vakum, çanta, materiale prerëse, si dhe detektorë insektesh, çka sipas autoriteteve dëshmon për një aktivitet të sofistikuar dhe të qëndrueshëm në kohë.
Hetimet vijojnë për të identifikuar rrjetin e plotë të shpërndarjes dhe lidhjet e mundshme ndërkombëtare të grupit kriminal.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






