Transmetuar më 29-01-2026, 08:01

29 Janar 2026

Kanë kaluar 20 ditë nga zhdukja e Jurgen Karajt, 30 vjeç, i cili dyshohet se është marrë nga ujërat e përroit të Darsit, në territorin e Bashkisë Klos. Pavarësisht kërkimeve intensive të zhvilluara deri më tani, autoritetet nuk kanë arritur ende në asnjë rezultat konkret për gjetjen e tij.

Që prej ditës së parë, në operacionin e kërkimit janë angazhuar forca të shumta, përfshirë Forcat e Armatosura, efektivë të forcave “Shqiponja”, shërbimet zjarrfikëse të Matit dhe Klosit, punonjës të Bashkisë Klos, si dhe banorë të zonës dhe familjarë të të riut të zhdukur.

Për shkak të vështirësisë së terrenit dhe mungesës së rezultateve, kërkimet pritet të intensifikohen ndjeshëm, pasi sot do t’i bashkohet operacionit edhe një ekip i specializuar nga Kosova, i fokusuar në kërkime nënujore.

Me urdhër të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmjen e djeshme është autorizuar dislokimi i një njësie të posaçme të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila do të angazhohet në zonën e Klosit për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të 30-vjeçarit.

Burime bëjnë me dije se ky vendim është marrë pas një procesi të ngushtë bashkërendimi institucional mes autoriteteve të dy vendeve. Gazetari Enver Doçi raporton se Presidentja Osmani ka ndjekur nga afër koordinimin për dërgimin e ekipit të specializuar drejt Shqipërisë.

Në kuadër të operacionit pritet të përdoren pajisje teknologjike të avancuara, përfshirë:

Skaner për ujëra EDGE TECH 5201,

Dron nënujor DEEP Trekker DTG 3 ROV, me qëllim kontrollin e zonave të vështira dhe të paarritshme më parë.

Autoritetet shpresojnë se përdorimi i këtyre mjeteve do të ndihmojë në përparimin e kërkimeve dhe në dhënien e një përgjigjeje për familjen e të riut, e cila prej javësh po pret me ankth zbardhjen e fatit të tij.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit