

Një stuhi e rrallë për nga intensiteti ka goditur brigjet e Atlantikut në Europën Jugperëndimore, duke lënë pas viktima, dëme të rënda materiale dhe qindra mijëra familje pa energji elektrike. Fenomeni i quajtur “Kristin” përfshiu fillimisht Portugalinë dhe më pas u zhvendos drejt Spanjës, duke u shoqëruar me erëra që arritën shpejtësi deri në 150 km/orë.
Portugalia është vendi më i goditur. Të paktën pesë persona humbën jetën, katër prej tyre në zonën e Leirias, ndërsa një tjetër në periferi të Lisbonës, si pasojë e incidenteve të shkaktuara nga rrëzimi i pemëve, strukturave dhe objekteve të rënda.
Pamjet nga terreni tregojnë qytete të paralizuara, rrugë të bllokuara dhe infrastruktura të dëmtuara rëndë. Në qytetin bregdetar Figueira da Foz, stuhia rrëzoi një karusel të madh në sheshin kryesor, ndërsa dhjetëra automjete u dëmtuan nga pemët e shkulura me rrënjë.
Shkëputja masive e linjave elektrike la mbi 800 mijë banorë pa energji, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë me masa emergjente. Trafiku rrugor dhe hekurudhor u ndërpre në disa zona, ndërsa xhama të thyer dhe fragmente ndërtimore u shpërndanë nëpër rrugë.
Stuhia shënoi viktimën e saj të parë edhe në Spanjë, ku një grua humbi jetën pasi u godit nga një pemë e rrëzuar nga erërat e forta. Autoritetet spanjolle kanë shpallur alarm të kuq në jug të vendit, duke paralajmëruar se kushtet ekstreme të motit pritet të vazhdojnë.
Shërbimet e emergjencës në të dy vendet janë në gatishmëri maksimale, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






