Transmetuar më 28-01-2026, 19:53

Qeveria ka miratuar ndryshime rrënjësore në rregulloren për administrimin e stacioneve të plazhit, duke u dhënë kompetenca të reja bashkive për kontrollin e çmimeve të shezlongëve dhe duke krijuar një kategori të re plazhesh publike. Vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave ndryshon rregulloren e vitit 2024 dhe vendos rregulla më të rrepta për sezonin e ardhshëm veror.

Risia kryesore është se në hartën zyrtare të turizmit tashmë përfshihen edhe lumenjtë, krahas plazheve detare dhe liqeneve, duke zgjeruar zonat ku do të aplikohen rregullat e reja të administrimit.

Çmime tavan për shezlongët

Për herë të parë, Këshillat Bashkiakë do të kenë të drejtën të miratojnë çmime tavan për përdorimin e shezlongëve, përpara nisjes së sezonit turistik. Sipas vendimit, bashkitë mund të përcaktojnë çmimet maksimale për çdo zonë bregdetare, të cilat do të shërbejnë si kufi detyrues për subjektet private.

Në rast se Këshilli Bashkiak nuk merr një vendim përkatës, çmimi maksimal do të përcaktohet përmes negociatave mes bashkisë dhe subjektit privat, në momentin e lidhjes së kontratës.

“Çmimet maksimale të dakordësuara bëhen pjesë përbërëse e kontratës dhe nuk mund të tejkalohen gjatë gjithë sezonit. Shkelja e tyre përbën shkak për zgjidhjen e kontratës”, thuhet në vendim.

Kategori e re: Plazh publik me pagesë, i administruar nga Bashkia

Vendimi krijon një koncept të ri administrimi: “Plazh publik i tarifuar nga Njësia e Vetëqeverisjes Vendore (NJVV)”. Këto janë zona plazhi që do të administrohen drejtpërdrejt nga bashkitë ose ndërmarrjet e tyre publike dhe do të jenë me pagesë për pushuesit, por me standarde të garantuara sigurie dhe higjiene.

Risia kryesore është se këto plazhe nuk mund t’u jepen privatëve. Bashkitë ndalohen t’i kontraktojnë apo delegojnë administrimin te palë të treta, me qëllim shmangien e abuzimeve me hapësirat publike.

Rregulla të reja për investitorët strategjikë dhe zhurmat

Vendimi sjell kufizime edhe për investitorët strategjikë. Ata do të kenë përparësi në marrjen e stacioneve të plazhit, por e drejta e përdorimit do të nisë vetëm pasi struktura akomoduese (hotel ose resort) të jetë vënë realisht në funksion.

Kjo masë synon të ndalojë zaptimin e plazheve nga kantiere ndërtimi apo projekte të papërfunduara. Paralelisht, bashkitë detyrohen të hartojnë dhe publikojnë hartat e zhurmave për secilin plazh, përpara nisjes së sezonit veror.

Përjashtime për bizneset pa struktura hoteliere

Vendimi parashikon edhe përjashtime për disa zona specifike, ku subjektet mund të kenë stacione plazhi deri në 50 çadra, edhe nëse nuk disponojnë hotel, por vetëm restorant ose bar. Këto zona përfshijnë, ndër të tjera: Zvërnec, Plazhin e Vjetër në Vlorë, Spille, Vilë-Bashtovë, Gjirin e Lalzit, Currilat, Porto-Romanon, Borshin, Llamanin, Lukovën, si dhe Rrjollin në Shkodër.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe ngarkon Ministrinë e Turizmit dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit me monitorimin e zbatimit të tij në të gjithë territorin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit