Transmetuar më 28-01-2026, 18:59

Tiranë- Çmimi i kafesë në Tiranë po shënon rritje të ndjeshme, duke reflektuar presionet e tregut global dhe ndryshimet në strukturën e kërkesës vendase. Vetëm gjatë vitit të kaluar, çmimi mesatar i kafesë u rrit me 5.4%, ritmi më i lartë që nga viti 2022.

Sot, një filxhan kafe në zonat më të frekuentuara të kryeqytetit kushton minimalisht 110 lekë, nga 80–90 lekë që ishte në fillim të vitit 2025. Edhe në periferi, çmimi ka shkuar në 80–90 lekë, nga 60–70 lekë më parë.

Rritja e çmimit të kafesë shkon përtej përballueshmërisë së një filxhani. Ajo prek drejtpërdrejt një ritual të përditshëm social. Shqipëria ka një nga densitetet më të larta të bareve për frymë në Europë, ndërsa kafeja shërben si pikë takimi për punë, biseda dhe pushim. Nga një shpenzim i vogël i përditshëm, kafeja po kthehet në një barrë gjithnjë e më të rëndë, veçanërisht për të rinjtë, pensionistët dhe punonjësit me paga fikse.

Faktorët që po rrisin çmimin

Sipas burimeve nga tregu, shtrenjtimi i kafesë po vjen kryesisht nga dy faktorë: rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe rritja e konsumit e nxitur nga turizmi.

Importet e kafesë në Shqipëri arritën vitin e kaluar një rekord prej 8.1 mijë tonësh, me një rritje prej 5.3% krahasuar me vitin 2024, sipas të dhënave doganore.

Shkaku kryesor i rritjes së fortë të çmimeve lidhet me ofertën globale të kafesë, e cila është ndikuar ndjeshëm nga ndryshimet klimatike. Prodhuesit kryesorë, veçanërisht Brazili dhe Vietnami, janë goditur nga episode të motit ekstrem, përfshirë thatësira të gjata të ndjekura nga reshje intensive, që kanë dëmtuar rendimentin.

Kafeja është një kulturë shumë e ndjeshme ndaj ndryshimeve të temperaturës dhe reshjeve, ndaj edhe devijime të vogla klimatike përkthehen shpejt në ulje prodhimi dhe rritje çmimesh në tregjet ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, kërkesa globale për kafe ka vijuar të rritet, sidomos në Azi dhe në tregjet urbane të vendeve në zhvillim, ku konsumi po rritet me ritme më të shpejta se në Europë dhe Amerikën e Veriut. Ky kombinim i ofertës së kufizuar dhe kërkesës në rritje ka krijuar presion të drejtpërdrejtë mbi çmimet.

Efekti i turizmit në tregun vendas

Shqipëria ka hyrë gjithashtu në një fazë ku kërkesa për kafe po nxitet fuqishëm nga flukset turistike. Me mbi 12 milionë turistë në vitin 2025, konsumi i kafesë në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora dhe Saranda është bërë pjesë e pandashme e industrisë së turizmit.

Për bizneset, kjo ndryshon logjikën e çmimeve. Kafeja nuk shitet më vetëm për konsumatorin vendas me të ardhura mesatare, por edhe për turistin europian, i cili është i mësuar të paguajë 3–5 euro për një ekspres.

Kur një pjesë e konsiderueshme e klientëve është e gatshme të paguajë më shumë, çmimi i tregut zhvendoset automatikisht lart për të gjithë, përfshirë edhe vendasit.

Rritja e çmimit të kafesë po ndikon drejtpërdrejt në strukturën e bizneseve të vogla, të cilat janë masivisht të lidhura me këtë produkt. Në shumë bare shqiptare, kafeja përbën një pjesë të madhe të xhiros dhe fitimit.

Në një mjedis gjithnjë e më të dominuar nga turizmi, zgjedhja e bizneseve anon drejt rritjes së çmimeve, duke e zhvendosur modelin e tyre gjithnjë e më shumë drejt konsumatorit të huaj.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit