Transmetuar më 28-01-2026, 18:51

SHBA – Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke i bërë thirrje Teheranit të ulet në tryezën e negociatave për një marrëveshje që ndalon zhvillimin e armëve bërthamore. Në të kundërt, ai ka kërcënuar me një sulm ushtarak edhe më të ashpër se ai i mëparshmi.

Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se një “armatë masive” amerikane është nisur drejt Iranit, e kryesuar nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, duke theksuar se forcat janë të gatshme të veprojnë “me shpejtësi dhe dhunë” nëse do të jetë e nevojshme.

“Një armatë masive është nisur drejt Iranit. Po lëviz shpejt, me fuqi, entuziazëm dhe qëllim të madh. Është një flotë më e madhe se ajo e dërguar më parë në Venezuelë dhe është plotësisht e aftë të përmbushë misionin e saj”, shkroi Trump.

Ai shtoi se koha për negociata po mbaron, duke paralajmëruar se refuzimi i një marrëveshjeje do të sillte pasoja të rënda. “Sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i keq. Mos e bëni që kjo të ndodhë përsëri”, theksoi presidenti amerikan.

Reagimi i Teheranit

Pas deklaratave të Trump, misioni diplomatik i Iranit në Kombet e Bashkuara reagoi përmes një postimi në platformën X. Teherani shprehu gatishmërinë për dialog me Shtetet e Bashkuara, por paralajmëroi se do të mbrohet në rast provokimi.

“Irani është i gatshëm për dialog, bazuar në respekt të ndërsjellë dhe interesa të përbashkëta. Por nëse i bëhet presion, do të mbrohet dhe do të kundërpërgjigjet si kurrë më parë”, thuhet në deklaratën e misionit iranian.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit