

Itali – Policia italiane ka zbuluar një rafineri të fshehtë kokaine në banesën e një shtetasi shqiptar në Firence, duke sekuestruar 34 kilogramë lëndë narkotike me vlerë tregu rreth 700 mijë euro.
Në pranga ka rënë një 54-vjeçar shqiptar, si dhe tre shtetas kolumbianë. Hetimet nisën pasi autoritetet kishin konstatuar lëvizje të dyshimta pranë banesës së shqiptarit, çka çoi në kryerjen e një kontrolli të detajuar në ambientet e saj.
Sipas mediave italiane, policia zbuloi një laborator të mirëfilltë për përpunimin e kokainës, i pajisur me peshore, presa, furrë, pompa, pajisje vakumi, qese plastike, substanca prerëse dhe pajisje të tjera të nevojshme për prodhimin e drogës. U gjetën gjithashtu detektorë insektesh, të përdorur për të shmangur përgjimet.
Me urdhër të Prokurorisë së Firences, katër të dyshuarit u dërguan në burgun Florence-Sollicciano. Arrestimet u konfirmuan nga gjyqtari i hetimeve paraprake (GIP) në seancën e mbajtur më 22 dhjetor. Aktualisht, të arrestuarit ndodhen në paraburgim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






