Transmetuar më 28-01-2026, 15:30

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu po zhvillon një vizitë zyrtare në Shkup, ku u takua me Ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski. Takimi zhvillohet në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe u pasua nga një deklaratë e përbashkët për shtyp.

Ministrja Koçiu tha se lehtësimi i burokracive dhe procedurave për qytetarët dhe biznesin është një hap i domosdoshëm dhe praktik në funksion të së ardhmes së përbashkët europiane.

Dy homologët diskutuan shndërrimin e pikës ekzistuese të kontaktit, në një Qendër të plotë të Bashkëpunimit Policor dhe Doganor, e cila do të funksionojë 24/7 dhe do të mundësojë koordinim në kohë reale mes strukturave përkatëse.

"Një qendër e tillë do të rrisë ndjeshëm sigurinë, duke forcuar kapacitetet kundër migracionit të paligjshëm, kriminalitetit dhe kontrabandës, si dhe do të shkurtojë burokracitë dhe kohën e pritjes në kufi", tha Koçiu.

Ministrja bëri me dije se vetëm gjatë një viti janë regjistruar rreth 5 milionë kalime dhe rreth 1.8 milionë automjete në kufirin mes dy vendeve, çka e bën edhe më të domosdoshëm përmirësimin e procedurave dhe infrastrukturës kufitare.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutuar ishte replikimi i modelit të suksesshëm “One Stop Shop” për kontrollin e unifikuar kufitar në të gjitha pikat e kalimit, duke qenë efekt që para sezonit veror, si dhe lehtësimi i procedurave gjatë sezonit turistik. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit