

DURRËS – Rehabilitimi i kanalit kullues në Urën e Dajlanit ka shkaktuar shqetësime serioze për banorët e zonës, disa prej të cilëve kanë humbur strehimin e tyre. Projekti, i ndërmarrë nga autoritetet për përmirësimin e menaxhimit të ujërave, ka detyruar disa familje të përballen me prishje të banesave, duke krijuar një situatë emergjente për strehimin.
Sot, përfaqësues të familjeve të prekura u mblodhën para Bashkisë së Durrësit, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme. Banorët kërkojnë rimbursim ose ofrimin e një alternative për strehimin, pasi disa prej objekteve të tyre janë shembur pa afat për largimin e sendeve.
“Strehim nuk kam, asgjë nuk kam. Nuk kam ku të mbytem, fëmijët janë në rrugë,” tha një qytetar, ndërsa një tjetër shtoi: “Të parën baraken time e shkatërruan pa paralajmërim.”
Ismail Jakupi nga Shoqata “Ushten”, që mbron të drejtat e komunitetit rom dhe egjiptian, tha se janë rreth 16 familje në banesa të rregullta dhe 4 në baraka, ndërsa procesi i legalizimit të disa banesave e vështirëson marrjen e bonusit social. Ai shtoi se banorët kanë biseduar me kryetaren e Bashkisë dhe se po shqyrtohet mundësia e ofrimit të bonus qiraje dhe pezullimit të prishjeve deri në gjetjen e një zgjidhjeje.
Problemet e strehimit vijnë pas rehabilitimit të kanalit kullues, një projekt që ka për qëllim parandalimin e përmbytjeve masive që goditën zonën këtë janar. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të garantuar strehimin dhe sigurinë e familjeve të tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






