Transmetuar më 28-01-2026, 10:37

Shijak – Një konflikt mes disa të rinjve, i dyshuar se ka nisur për motive xhelozie, ka përfunduar me plagosjen e rëndë të shtetasit Denis Çumani. Ngjarja po hetohet nga policia, ndërsa autorët janë shpallur në kërkim.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, Çumani dyshohet se ka ngacmuar një vajzë, e cila ishte në një lidhje sentimentale me shtetasin Dorian Ferra. Ky i fundit ndodhej në një lokal së bashku me vajzën, e cila po merrte vazhdimisht mesazhe nga Çumani, të cilat ajo i fshinte për të shmangur një konflikt.

Pas insistimit të Ferrës për të mësuar identitetin e personit që po i shkruante, ai u informua për situatën dhe, sipas hetimeve, së bashku me kushëririn e tij Indrit Ferra, është drejtuar drejt banesës së Denis Çumanit.

Dhunë dhe përdorim i armës së zjarrit

Në banesën e viktimës, dy kushërinjtë dyshohet se e kanë dhunuar Çumanin me grushte dhe shkelma, ndërsa gjatë konfliktit i kanë vendosur edhe një armë zjarri në kokë dhe në brinjë, duke e qëlluar një herë dhe duke e lënë të plagosur rëndë.

I dëmtuari u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Durrësit, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.

Autorët në kërkim

Pas ngjarjes, Dorian dhe Indrit Ferra janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e tyre, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe dinamikën e konfliktit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit