

Tiranë / Stamboll – Kryetarët e 76 bashkive anëtare të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40 kanë shprehur shqetësim të thellë për mbajtjen në paraburgim pa afat të Kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar këtë praktikë si një trend të rrezikshëm që cenon demokracinë vendore në Ballkan dhe më gjerë.
Në një letër të përbashkët, drejtuesit vendorë i bëjnë thirrje autoriteteve përkatëse që t’i japin fund masës së paraburgimit dhe t’u mundësojnë dy kryebashkiakëve të presin në liri përfundimin e procedurave ligjore, duke ushtruar njëkohësisht mandatet e fituara përmes votës së qytetarëve.
“Nuk është drejtësi, por minon vullnetin e votuesve”
Sipas nënshkruesve, largimi nga detyra i zyrtarëve të zgjedhur pa një vendim përfundimtar gjyqësor nuk përbën drejtësi, por përkundrazi minon vullnetin e elektoratit dhe përbën kërcënim serioz për institucionet demokratike lokale.
“Paraburgimi pa afat i kryetarëve të bashkive të zgjedhur në mënyrë demokratike i privon qytetarët nga përfaqësimi dhe dëmton besimin publik në shtetin e së drejtës”, thuhet në letër.
Referenca ndaj Komisionit të Venecias dhe KEDNJ-së
Kryebashkiakët i referohen Raportit të tetorit 2025 të Komisionit të Venecias, ku paralajmërohet se përdorimi i paraburgimit ndaj kryetarëve aktualë të bashkive përbën rrezik për qeverisjen demokratike. Sipas raportit, ndalimi duhet të jetë masë e fundit, e zbatuar vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe jo si mjet për të penguar ushtrimin e mandatit.
Po ashtu, letra thekson se praktikat aktuale bien ndesh me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila garanton të drejtën për liri dhe përfaqësim demokratik.
Thirrje për drejtësi transparente dhe proporcionale
Rrjeti B40 sqaron se nuk kërkon imunitet për kryebashkiakët dhe nuk komenton mbi thelbin e akuzave apo fajësinë e tyre. Apeli, sipas tyre, është parimor dhe i kufizuar vetëm në respektimin e standardeve demokratike evropiane.
“Drejtësia duhet të jetë transparente, proporcionale dhe respektuese ndaj zgjedhjes demokratike”, thuhet në dokument, ku autoriteteve u kërkohet të sigurojnë rivendosjen e mandateve demokratike dhe respektimin e normave evropiane në të gjitha rastet që përfshijnë zyrtarë vendorë të zgjedhur.
Letra është nënshkruar nga kryetarë bashkish nga vende të ndryshme të Ballkanit, anëtarë të Rrjetit B40, një nismë rajonale e themeluar për të forcuar bashkëpunimin mes qyteteve dhe demokracinë vendore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






