

Seul – Një gjykatë në Korenë e Jugut dënoi ish-zonjën e parë Kim Geun-hee me 20 muaj burg në një çështje korrupsioni, duke e shpallur fajtore për pranimin e dhuratave të paligjshme nga Kisha e Unifikimit.
Vendimi u shpall nga Gjykata e Qarkut Qendror të Seulit, e cila njëkohësisht e shfajësoi Kim nga akuzat për përfshirje në një skemë manipulimi aksionesh dhe për shkelje të Ligjit për Fondet Politike.
Prokuroria kishte kërkuar një dënim prej 15 vitesh burg, duke pretenduar se Kim kishte pranuar dhurata me vlerë të konsiderueshme në këmbim të ndikimit të saj politik. Sipas hetimeve, ajo dyshohet se ka marrë dhurata me vlerë rreth 258 mijë dollarë, përfshirë një pikturë luksoze, për të mbështetur një kandidat të Partisë në pushtet Forca Popullore në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar.
Akuzat dhe hetimet
Sipas prokurorëve, Kim Geun-hee ka përfituar në total mbi 552 mijë dollarë në periudhën 2010–2012, përmes marrëveshjeve të paligjshme që përfshinin ryshfet, favore politike dhe ndikim në emërime shtetërore. Ajo akuzohet gjithashtu për pranimin e çantave luksoze, një gjerdani diamanti dhe dhuratave të tjera me vlerë deri në 11,500 dollarë, si dhe për marrjen e 58 sondazheve falas përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022.
Kim i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Gjyqi i saj, i transmetuar drejtpërdrejt, shënoi një precedent historik, pasi është hera e parë që bashkëshortja e një presidenti gjykohet ndërsa ndodhet në paraburgim.
Dënimi i ish-presidentit
Ndërkohë, bashkëshorti i saj dhe ish-presidenti i Koresë së Jugut, Yun Suk-yeol, u dënua më herët këtë muaj me pesë vjet burg për pengim të drejtësisë. Ai u shpall fajtor për ndërhyrje në punën e hetuesve, përfshirë urdhërimin e Shërbimit të Sigurisë Presidenciale për të bllokuar zbatimin e një urdhër-arresti në rezidencën presidenciale.
Ky vendim përbën vetëm njërin nga tetë proceset gjyqësore ndaj tij, përfshirë akuza të rënda si shpallja e gjendjes ushtarake në dhjetor 2024.
Kush është Kim Geun-hee?
Kim Geun-hee, 52 vjeç, e lindur si Kim Myeong-shin, ishte një sipërmarrëse dhe koleksioniste arti përpara se të bëhej zonja e parë e vendit. Ajo u diplomua në edukim arti në Universitetin e Grave Sookmyung në vitin 1999, por diploma iu revokua në vitin 2025, pasi një hetim akademik konstatoi se teza e saj përmbante elemente plagjiature dhe manipulimi.
Kim nuk ka reaguar publikisht ndaj këtij vendimi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






