

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet sot në orën 12:00 për kërkesën e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Anëtarët e Këshillit mblidhen në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë ende me një vendim për rastin Balluku.
Socialistët nuk kanë pranuar të shqyrtojnë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit e Ballukut, deri sa Gjykata Kushtetuese të dilte me një vendim. Kjo e fundit e mori në shqyrtim ankimin e qeverisë në një seancë publike më 22 janar, por ende nuk ka një vendimarrje mbi rastin, pasi gjyqtarëve kushtetues iu duhet më shumë kohë.
Mbetet për t’u parë nëse Këshilli i Mandateve drejtuar nga Niko Peleshi do të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, apo njëjtë si “Kushtetuesja” do të kërkojnë më shumë kohë.
GJKKO, me kërkesë të SPAK pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku e pandehur për abuzime me tenderin e Llogarasë, por Kryeministri Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij.
Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.
Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”.
E pandehur për shkeljet në tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 7 procedura të tjera prokurorimi lidhur me ndërtimin e lotëve të Unazës së Madhe, SPAK ka dyshime se Balluku duke qenë në detyrë, rrezikon të prishë provat hetimore dhe të intimidojë dëshmitarët
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






