Transmetuar më 27-01-2026, 22:42

27 Janar, 2026

RUMANI – Personi që shihni në foto është Vasil Pilo, i riu shqiptar që humbi jetën këtë të martë në aksidentin tragjik të ndodhur në Rumani. Identifikimi i tij u konfirmua zyrtarisht pak minuta më parë nga autoritetet rumune, të cilat ia kanë përcjellë informacionin edhe policisë greke.

Vasil Pilo jetonte prej vitesh me familjen e tij në Alexandria të Imathias, në Greqi. Miqtë e tij tregojnë se ai ishte një tifoz i zjarrtë i klubit PAOK të Selanikut dhe nuk mungonte pothuajse në asnjë ndeshje të skuadrës së zemrës. Pikërisht pasioni për futbollin ishte arsyeja pse ai ishte nisur drejt Francës, për të ndjekur përballjen e PAOK ndaj Lyonit në Europa League.

Në të njëjtin aksident humbi jetën edhe një tjetër tifoz shqiptar, Genci Sadiku, ndërsa numri total i viktimave arriti në shtatë persona.

SI NDODHI AKSIDENTI

Ngjarja e rëndë ndodhi në autostradën pranë qytetit Lugoj, në Rumani. Një furgon që transportonte tifozë të PAOK, të moshës 25 deri në 30 vjeç, u përfshi në një aksident të rëndë rrugor gjatë udhëtimit drejt Francës.

Sipas autoriteteve rumune, mjeti tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë rikthimit në korsi u përplas fillimisht me të. Më pas, furgoni kaloi në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas me një kamion tjetër. Në aksident u përfshinë gjithsej katër automjete.

Gjashtë persona humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit për në spital. Për shkak të kushteve të këqija atmosferike, helikopterët e emergjencës nuk mundën të ndërhyjnë, ndërsa tre të plagosur u dërguan me urgjencë në spitalin e qytetit Lugoj, ku njëri prej tyre raportohet në gjendje kritike.

Ministria e Jashtme e Greqisë dhe Ambasada Greke në Bukuresht janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune për identifikimin e plotë të viktimave dhe mbështetjen e familjarëve.

Ndërkohë, klubi i PAOK ka shpallur zi për humbjen e tifozëve dhe ka bërë të ditur se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave në vendet përkatëse, si edhe për ndihmën mjekësore ndaj të plagosurve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit