Transmetuar më 27-01-2026, 21:35

TIRANË – Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka deklaruar në Kuvend se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që parashikon dënim me burg për parkimin dyshe, duke e cilësuar këtë një standard absurd dhe në kundërshtim me praktikat evropiane.

Gjatë fjalës së tij, Bardhi u ndal edhe te nisma për dekriminalizimin e shpifjes, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si do të përcaktohet statusi i gazetarit që përfiton nga kjo reformë. Sipas tij, profesioni i gazetarisë në Shqipëri nuk është i rregulluar ligjërisht dhe mbetet e paqartë se kush do të konsiderohet gazetar, kush analist apo komentator.

“Sot kemi ardhur në një tjetër standard. Shqipëria ka marrë angazhimin për të reflektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR për dekriminalizimin e plotë të shpifjes, por ju sillni një model që nuk e ka asnjë vend tjetër. Kush do ta ndajë kush është gazetar dhe kush jo, kur profesioni nuk është i rregulluar?” u shpreh Bardhi.

Ai theksoi se shpifja duhet të trajtohet si çështje civile, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare, dhe jo të mbetet subjekt penal me përjashtime selektive.

Duke u ndalur te penalizimi i parkimit dyshe, Bardhi tha se në asnjë vend të Bashkimit Evropian një shkelje e tillë nuk kriminalizohet. Sipas tij, parkimi dyshe është pasojë e mungesës së hapësirave publike dhe infrastrukturës rrugore, sidomos në zonat ku ndërtohen kulla dhe nuk parashikohen rrugë të reja apo zgjerime.

“Nëse parkohet makina dyshe në një vend ku ndërtohet kulla, kjo do të thotë që mungon hapësira e lirë. Ne kemi ende rrugët dhe bulevardet e para viteve ’90, ndërsa qytetari dënohet me burg sepse parkon dy minuta nga halli,” tha Bardhi.

Në fund, ai ironizoi standardet e drejtësisë penale, duke theksuar se ndërsa qytetarët e zakonshëm rrezikojnë burg për shkelje të vogla, zyrtarë të lartë të përfshirë në afera të mëdha korruptive vijojnë të mbeten të pandëshkuar.

“Qytetari që parkon dyshe, me votën e Belinda Ballukut, do të shkojë në burg. Ndërsa ai që vjedh 50 milionë euro ulet në karrigen e numrit dy të qeverisë,” përfundoi Bardhi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit