

SPANJË – Qeveria spanjolle ka vendosur të shpërndajë 20 milionë euro si kompensim për familjet e viktimave dhe të plagosurit nga aksidenti i rëndë hekurudhor i ndodhur më 18 janar në Adamuz, pranë qytetit jugor të Kordobës. Lajmi u konfirmua nga ministri i Transportit, Oscar Puente.
Aksidenti, që përfshiu një tren me shpejtësi të lartë, i mori jetën 45 personave dhe la mbi 150 të plagosur, duke u konsideruar një nga tragjeditë më të rënda hekurudhore në Europë në vitet e fundit dhe më e rënda në Spanjë që nga viti 2013.
Sipas planit të kompensimit, familjet e viktimave do të përfitojnë nga 216 mijë euro secila, të cilat do të shpërndahen brenda tre muajve. Shuma përfshin 72 mijë euro ndihmë direkte nga shteti, e përjashtuar nga taksat, 72 mijë euro pagesë paraprake nga sigurimi dhe një tjetër pagesë prej 72 mijë eurosh nga sigurimi i detyrueshëm i udhëtarëve.
Ministri Puente deklaroi se qeveria synon të shmangë vonesat burokratike që shpesh shoqërojnë procedurat ligjore në raste të tilla. “Familjet nuk mund të presin vite për mbështetje financiare. Pasiguria ekonomike nuk duhet t’i shtohet dhimbjes emocionale,” u shpreh ai.
Për të plagosurit, kompensimet do të variojnë nga 2 400 euro deri në 84 mijë euro, në varësi të shkallës së dëmtimeve.
Ngjarja ka rritur presionin politik mbi ministrin e Transportit, i cili është kritikuar edhe për disa incidente të tjera hekurudhore të ndodhura gjatë së njëjtës javë, përfshirë vdekjen e një makinisti në Katalonjë dhe ndërprerje të shumta të shërbimit hekurudhor. Partia Popullore ka kërkuar dorëheqjen e tij.
Puente ka deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga detyra, duke theksuar se ka vepruar me transparencë dhe ka komunikuar të gjithë informacionin e disponueshëm për qytetarët.
Ndërkohë, sistemi hekurudhor spanjoll është përballur me probleme të vazhdueshme, veçanërisht në Katalonjë, ku greva të makinistëve dhe dështime teknike kanë shkaktuar kaos në transportin publik, duke ngritur shqetësime të reja mbi sigurinë dhe menaxhimin e rrjetit hekurudhor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






