

Familja e Marko Bekës, taksistit 45-vjeçar të qëlluar për vdekje në qytetin Geel të Belgjikës, ka reaguar pas arrestimit të dy të rinjve të dyshuar për krimin.
Bëhet fjalë për një 20-vjeçar nga Merksem dhe një 24-vjeçar nga Geel, të cilët u ndaluan nga autoritetet belge në kuadër të hetimeve për vrasjen që tronditi komunitetin lokal.
Prokuroria i tha mediave belge që “viktima nuk ishte zgjedhur rastësisht”.
E veja e viktimës, Izabela, shprehet se arrestimet kanë sjellë njëfarë lehtësimi për familjen. Ajo thotë se ky zhvillim i ndihmon sadopak për të përballuar dhimbjen e humbjes, por thekson se ende nuk ndihet e bindur se drejtësia është vendosur plotësisht.
Sipas saj, ndryshe nga qëndrimi i prokurorisë, ajo beson se në ngjarje kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë.
Izabela shprehet se banorët e zonës Larum, pranë vendit ku ndodhi vrasja, kanë dhënë dëshmi që flasin për më shumë se dy autorë.
Ajo shpreson që hetimet të vijojnë dhe të çojnë në arrestime të tjera, në mënyrë që e vërteta të zbardhet plotësisht.
Ndërkohë, vendi i krimit në Geel ishte izoluar për një kohë të gjatë nga policia për kryerjen e ekspertizës, ndërsa hetimet për motivet dhe rrethanat e vrasjes së Marko Bekës vijojnë.
Familjarët presin që autorët e vërtetë të mbajnë përgjegjësi dhe që drejtësia të mos ndalet me kaq.
Izabela reagoi e shokuar pas vdekjes së taksistit 45 vjeçar Marko pas vrasjes me armë: “Nuk i bënte keq askujt. Jam e sigurt se shumë njerëzve do t’u mungojë Marko. Jo vetëm këtu, por edhe miqve tanë në Itali dhe Shqipëri", tha ajo.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






