Transmetuar më 27-01-2026, 17:41

ANKARA – Presidenti i Nigerisë, Bola Ahmed Tinubu, ka pësuar një incident gjatë ceremonisë zyrtare të pritjes në Pallatin Presidencial në Ankara, ku po zhvillon një vizitë shtetërore në Turqi me ftesë të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Ngjarja ka ndodhur në momentet e ceremonisë së mirëseardhjes, teksa kreu i shtetit nigerian po përshëndeste trupat e Gardës së Nderit. Sipas pamjeve të publikuara nga mediat, Tinubu ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar për pak çaste para hyrjes në pallat.

Stafi protokollar dhe personeli i sigurisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke e ndihmuar presidentin të ngrihet në këmbë. Burime zyrtare bëjnë me dije se ai nuk ka pësuar lëndime dhe se gjendja e tij shëndetësore nuk ka qenë shqetësuese.

Pavarësisht incidentit, ceremonia dhe axhenda zyrtare e vizitës kanë vijuar normalisht pas një vonese të shkurtër, ndërsa takimi mes dy presidentëve është zhvilluar sipas planifikimit.

Vizita e presidentit Tinubu në Turqi është pjesë e një turi diplomatik që synon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Nigerisë dhe Turqisë, me fokus bashkëpunimin ekonomik, energjetik dhe atë të sigurisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit