

Një 37-vjeçar i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare është ekstraduar nga Zvicra drejt Shqipërisë, pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Bern.
Bëhet fjalë për shtetasin Jozi Kraja, i lindur në Shkodër, i cili akuzohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si pjesëtar i një grupi kriminal. Sipas vendimit të GJKKO-së të datës 15 maj 2024, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme dyshohet se gjatë një periudhe katërvjeçare, nga dhjetori 2020 deri në maj 2024, 37-vjeçari Jozi Kraja ka siguruar kushte dhe mjete materiale për kryerjen e vrasjes së dy vëllezërve. Sipas hetimeve, Kraja kishte rolin e vëzhguesit në planin për vrasjen e Durim dhe Valter Bamit, plan që dështoi megjithë 4 vjet përgatitje.
Në planifikimin e atentatit ndaj dy vëllezërve Valter dhe Durim Bami, i cili dyshohet se është porositur nga ish-deputeti i Partisë Socialiste si akt hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka, më 9 dhjetor 2017, janë përfshirë edhe 14 persona të tjerë.
Mes emrave të përfshirë në këtë skemë rezultojnë figura të njohura të botës së krimit, si Ervis Martinaj, Emiljano Shullazi, si edhe Samuel Ndoka, djali i viktimës. Megjithatë, pavarësisht mobilizimit të një rrjeti të gjerë personash, plani për eliminimin e dy vëllezërve Bami ka dështuar.
Sipas dosjes hetimore, bazuar në përgjimet e platformës SkyECC, janë zbardhur në detaje rolet dhe detyrat e secilit prej të përfshirëve në planin për vrasjen e Durim dhe Valter Bamit.
Në një nga bisedat e përgjuara, ish-deputeti Arben Ndoka shprehet me tone kërcënuese ndaj Durim Bamit, duke lënë të kuptohet vendosmëria për ta çuar planin deri në fund, pavarësisht pasojave.
Tani Kraja përballet me akuza për “Sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.
Pas përfundimit të procedurave ligjore, Jozi Kraja është dorëzuar autoriteteve shqiptare dhe do të përballet me drejtësinë për akuzat e rënda që rëndojnë ndaj tij.
/noa.al
Pjesë nga dosja:
Referuar bisedave të realizuara nga përdoruesit e SkyECC, të zhvilluara mes shtetasve Arben Ndoka “A09C41”, Samuel Ndoka “HRGZ7E”, Arian Tuku “4CSJQH” dhe “4SV660”, Ervis Martinaj “NP8LS4”, Jozi Kraja “SGZE20”, Astrit Avdyli “TEDV40”, Arben Mërkuri “N8TA74”, Aldo Avdyli “Q1CTJT”, Gentian Bejtja “CSEC2N”, Emiljano Shullazi “U2BA3G”, Blerim Abazi “723877”, Elvis Ndreca “VGRF6O”, Gjin Ndoj “QPDLP7”, Naim Stafuka dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, del në pah organizimi i këtyre shtetasve me qëllim realizimin e vrasjes së shtetasve Durim Bami dhe Valter Bami. Evidentohen personat e interesuar për realizimin e vrasjes, financuesit, personat e angazhuar për lokalizimin e shtetasve Durim dhe Valter Bami, vendi ku do të strehohen ekzekutorët para vrasjes, vendi ku do të fshihen automjetet që do të përdorin ekzekutorët, personat që do të ndjekin të gjitha lëvizjet dhe vendi ku do të kryhet ekzekutimi. Më konkretisht, roli i secilit prej të dyshuarve në kryerjen e veprave penale është si më poshtë:
Shtetasi Arben Ndoka ka pasur rolin e financuesit dhe porositësit për vrasjen e shtetasve Durim dhe Valter Bami, duke kontraktuar shtetasit Gentian Bejtja, Naim Stafuka, Arben Mërkuri, Aldo Avdyli dhe lidhjet e tyre. Vrasja do të kryhej në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij, shtetasit Aleksandër Ndoka, e ndodhur më datë 09.12.2017.
Shtetasi Arian Tuku ka pasur rolin e organizuesit, financuesit dhe koordinuesit të të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë ngjarje, me qëllim realizimin e vrasjes së shtetasve Durim dhe Valter Bami.
Shtetasi Samuel Ndoka ka pasur rolin e organizuesit, koordinuesit të aktorëve në terren, kontaktit me ekzekutorët dhe sigurimit të armëve me qëllim ekzekutimin e shtetasve Durim dhe Valter Bami. Vrasja do të kryhej në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e babait të tij, shtetasit Aleksandër Ndoka, e ndodhur më datë 09.12.2017.
Shtetasi Ervis Martinaj ka pasur rolin e financuesit dhe sigurimit të logjistikës dhe informacioneve për lokalizimin e shtetasve Durim Bami dhe Valter Bami.
Shtetasi Jozi Kraja, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka pasur rolin e vëzhguesit, lokalizuesit dhe bashkëpunëtorit me qëllim vrasjen e shtetasve Durim dhe Valter Bami.
Shtetasi Astrit Avdyli ka pasur rolin e siguruesit të personave që do të kryenin vrasjen e shtetasve Durim dhe Valter Bami. Astriti ka angazhuar shtetasit Arben Mërkuri dhe Aldo Avdyli me qëllim realizimin e vrasjes për llogari të shtetasit Arben Ndoka.
Shtetasi Arben Mërkuri, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2022, ka pasur rolin e ekzekutorit të shtetasve Durim dhe Valter Bami për llogari të shtetasit Arben Ndoka.
Shtetasi Aldo Avdyli ka pasur rolin e ekzekutorit të shtetasve Durim dhe Valter Bami për llogari të shtetasit Arben Ndoka.
Shtetasi Gentian Bejtja, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2024, ka pasur rolin e lokalizimit të shtetasve Durim dhe Valter Bami me qëllim vrasjen e tyre. Gjithashtu, ky shtetas ka siguruar vendin ku fshiheshin automjetet që do të përdornin ekzekutorët dhe strehimin e tyre deri në momentin e kryerjes së vrasjes.
Shtetasi Naim Stafuka, në bashkëpunim me Gentian Bejtjan, ka pasur rolin e lokalizimit të shtetasve Durim dhe Valter Bami me qëllim vrasjen e tyre për llogari të shtetasit Arben Ndoka. Gjithashtu, ky shtetas ka siguruar vendin ku do të fshiheshin automjetet që do të përdornin ekzekutorët dhe strehimin e tyre deri në momentin e kryerjes së vrasjes.
Shtetasi Emiljano Shullazi ka pasur rolin e sigurimit të informacioneve në lidhje me lokalizimin e shtetasve Durim dhe Valter Bami dhe informimin e shtetasit Arben Ndoka në lidhje me këto informacione.
Shtetasi Blerim Abazi ka pasur rolin e sigurimit të informacioneve në lidhje me lokalizimin e shtetasve Durim dhe Valter Bami.
Shtetasi Elvis Ndreca, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, ka pasur rolin e vëzhguesit, lokalizuesit dhe bashkëpunëtorit me qëllim vrasjen e shtetasit Durim Bami.
Shtetasi Gjin Ndoj, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, ka pasur rolin e lokalizuesit dhe bashkëpunëtorit me qëllim vrasjen e shtetasve Durim dhe Valter Bami.
Shtetasi Marklen Haka ka pasur rolin e sigurimit të informacioneve për lokalizimin e shtetasit Durim Bami me qëllim vrasjen e tij. Këto informacione Markleni i ndante me shtetasin Emiljano Shullazi.
Nga hetimet e deritanishme lidhur me këtë episod rezulton se Emiljano Shullazi ka komunikuar disa herë me shtetasin Marklen Haka, duke shkëmbyer informacione mbi lëvizjet e shtetasit Durim Bami, përfshirë përdorimin e automjeteve të blinduara ose tip Range Rover. Në biseda të ndryshme diskutohet edhe për lëvizjet e shtetasit Valter Bami, për mundësinë e realizimit të pritave, për angazhimin e personave të tretë dhe për vështirësitë në ekzekutimin e planit për shkak të masave të sigurisë.
Nga komunikimet rezulton se janë dhënë porosi për mosbesim ndaj shtetasve Durim dhe Valter Bami, janë diskutuar variante për eliminimin e tyre, janë ndarë informacione për vendndodhjet, automjetet, shoqërimet dhe vendet e frekuentuara, si dhe janë shprehur deklarata kërcënuese dhe nxitëse për realizimin e vrasjes.
Po ashtu, nga verifikimet në sistemin TIMS rezulton se disa prej personave të përmendur kanë udhëtuar bashkë me shtetasin Durim Bami në periudha të ndryshme, duke përdorur të njëjtat automjete dhe duke kaluar në pika të ndryshme kufitare.
Nga bisedat del gjithashtu shqetësimi për rrjedhje informacioni nga brenda rrethit të përfshirë, për shkak të komunikimeve të pakontrolluara të disa personave, çka sipas dyshimeve ka rrezikuar zbulimin e planit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






