Transmetuar më 27-01-2026, 15:03

TIRANË, 27 janar 2026 – Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë ende një vendim lidhur me kërkesën e Kryeministrit Edi Rama për heqjen e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese u mblodhën ditën e sotme për të shqyrtuar çështjen, por mbledhja përfundoi pa një vendim përfundimtar. Burime zyrtare bëjnë me dije se trupa gjykuese ka kërkuar më shumë kohë për analizimin e argumenteve ligjore të paraqitura nga palët.

Kërkesa është depozituar nga Kryeministri Rama, i cili kundërshton vendimin e GJKKO për pezullimin e Ballukut nga detyra, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje të pushtetit gjyqësor në kompetencat e pushtetit ekzekutiv. Sipas qeverisë, masa e pezullimit përbën në thelb një shkarkim “de facto” dhe cenon funksionimin normal të Këshillit të Ministrave.

Në seancën e mbajtur më 22 janar, përfaqësuesit e qeverisë kërkuan shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së, duke theksuar se masa e marrë ndaj zv/kryeministres tejkalon kufijtë e një mase sigurie dhe prodhon pasoja të drejtpërdrejta politike dhe institucionale.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK në lidhje me tenderin me vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Po ashtu, ajo dyshohet edhe për procedurën e tenderit 20 milionë euro për lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, për të dy procedurat, me një vlerë totale prej rreth 210 milionë eurosh, dyshohet se fituesit janë paracaktuar përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjeve gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.

Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë vendimin në ditët në vijim, ndërsa çështja konsiderohet me rëndësi të veçantë për raportet mes pushteteve dhe precedentin institucional që mund të krijojë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit