

Tiranë, 27 janar 2026 – Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit ndaj akuzave të opozitës se Policia e Shtetit ka ushtruar dhunë gjatë protestës kombëtare të zhvilluar më 24 janar.
Koçiu theksoi se Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat, duke mohuar përdorimin e forcës së tepruar ndaj protestuesve.
Sipas saj, gjatë tubimit, efektivët e policisë janë përballur me akte dhune, përfshirë hedhje të lëndëve piroteknike, koktej molotov dhe sende të forta pranë institucioneve të rëndësishme shtetërore. Ministrja bëri me dije se si pasojë e këtyre veprimeve, 11 punonjës policie janë lënduar dhe kanë marrë trajtim mjekësor.
Ajo shtoi se policia ka bërë thirrje të vazhdueshme për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës dhe për ndalimin e dhunës, por pasi këto thirrje janë shpërfillur dhe rreziku është bërë evident, janë marrë masa për shpërndarjen e turmës, në përputhje me parashikimet ligjore.
“E drejta për protestë është kushtetuese, por dhuna nuk është një e drejtë politike. Sulmet ndaj policisë dhe hedhja e mjeteve të rrezikshme nuk përbëjnë protestë, por shkelje të ligjit dhe rendit demokratik”, u shpreh ministrja, duke i cilësuar si të pabazuara akuzat për përdorim force të tepruar nga ana e policisë.
Në lidhje me shoqërimin e një të mituri gjatë protestës, Koçiu sqaroi se ai është dërguar në komisariat për verifikim pasi dyshohej se po qëllonte efektivët me gurë. Sipas saj, sapo është konstatuar se bëhej fjalë për një 14-vjeçar, ai është mbajtur në një ambient të posaçëm dhe është trajtuar sipas procedurave ligjore, deri në mbërritjen e përfaqësuesit ligjor.
“Policia e shtetit e kreu detyrën e saj më së miri. Policia nuk ushtroi dhunë ndaj protestuesve, ajo që ndodhi ishte që policia u përball me dhunë,. Gjatë tubimit, punonjësit e policisë u sulmuan me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para institucionet të rëndësishme dhe 11 u lënduan dhe u trajtuan në spital. Policia ka vepruar në përmbajtjetë plotë të rregullave, ligjit dhe ka bërë thirrje për ndalimin e dhunës dhe ruajtjen e karakterit paqësor të protestës dhe pasi këto thirrje u shpëqrfillën dhe rreziku u bë evident, atëherë institucionet dhe qytetarët ndihen të kërcënuar në këtë situatë, u ndërmorën masa për shpërndarjen e turmës sipas parashikimeve ligjore. Akuzat se policia ka përdorur forcë të tepruar apo mjete përtej nevojës janë të pavërteta dhe të pabazuara. Çdo veprim është kryer sic e kërkon ligji. Dua të theksoj se e drejta për protestë është kushtetuese por dhuna nuk është një e drejtë politike. Hedhja e molotovëve, sulm ndaj policisë nuk është protestë por shkelje e ligjit dhe e rendit demokratik. Nuk und të mbrohen autorët e dhunës”, u shpreh ministrja.
Ministrja akuzoi gjithashtu opozitën se ka përdorur të miturin për qëllime politike, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






