Transmetuar më 27-01-2026, 13:28

Strasburg, 27 janar 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paraqitur në Strasburg shqetësimet e opozitës lidhur me situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një rrezik serioz për sigurinë e Europës.

Gjatë një debati në grupin parlamentar të Partisë Popullore Europiane (EPP), ku u diskutuan zgjedhjet në Shqipëri dhe raporti mbi të ashtuquajturën “terapi konvertuese”, Berisha akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për lidhje me krimin e organizuar dhe për shndërrimin e vendit në një “narkoshtet”.

Sipas tij, kartele droge të lidhura me pushtetin politik dominojnë tregjet e narkotikëve në Europë, ndërsa Shqipëria është kthyer në një qendër të pastrimit të parave përmes sektorit të ndërtimit dhe turizmit. Berisha u bëri thirrje vendeve anëtare të Këshillit të Europës që të reagojnë ndaj asaj që ai e cilësoi si një rrezik që buron nga Shqipëria.

Në fjalën e tij, kreu i PD-së ngriti gjithashtu shqetësime për sigurinë e të dhënave shtetërore, duke akuzuar Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për keqmenaxhim dhe rrjedhje të të dhënave sensitive, pretendime të cilat mbeten në nivel akuzash politike.

Në një debat të veçantë, Berisha kritikoi raportin mbi “terapinë konvertuese”, duke e cilësuar atë si një praktikë të dëmshme dhe të papranueshme, veçanërisht kur, sipas tij, përfshin fëmijët. Ai deklaroi se në Shqipëri po përdoren materiale mësimore në kopshte dhe shkolla fillore që, sipas opozitës, synojnë manipulimin ideologjik të fëmijëve, duke e lidhur këtë proces me ndikime të ekstremit të majtë.

Berisha theksoi se këto zhvillime, sipas tij, rrezikojnë të çojnë drejt vendosjes së një forme diktature ideologjike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Ai shtoi se, ndonëse debati mbi raportin ishte i ndarë, sipas tij në audiencë u shprehën rezerva të konsiderueshme ndaj përmbajtjes së tij.

Fjala e Plotë:

Dje gjatë ditës në debatin e zhvilluar në grupin parlamentar të EPP-së për zgjedhjet në Shqipëri dhe raportin e ‘Terapisë konvertuese’ paraqita para audiencës rrezikun e madh që përfaqëson narkoshteti shqiptar më në krye Edi Rama apo siç quhet rëndom Ramaduro apo Noriega i Europës për sigurinë e vendeve të rajonit dhe vendeve të Europës.

Në fjalën time, paraqita dominimin e tregut të drogës në Europës, marijuanës, heroinës, kokainës nga kartelet e drogës të lidhura direkt me Edi Ramën, të komanduara direkt prej tij, i cili e ka shndërruar Shqipërinë në një parajsë të larjes së parave të tyre, në qindra kulla, ndërtesa, resorte turistike.

Shpreha kërkesën që vendet anëtare të Këshillit të Europës, parlamentet e këtyre vendeve të ngrenë zërin e tyre ndaj këtij rreziku serioz që u vjen nga një vend i vogël i cili ka të gjitha potencialet e mëdha të zhvillimit dhe e ka zhytur regjimi në drogë, vetëm për qëllime elektorale.

Po kështu, tek rreziku i madh që përfaqëson Shqipëria, u ndala tek AKSHI, kopshti familjar i Edi Ramës, në të cilin koordinatori kryesor i karteleve të drogës me anëtarët e familjes Rama, kanë plaçkitur qindra e qindra milionë euro. Por mbi të gjitha Ergys Agasi ka eksportuar të gjitha të dhënat e internetit që ekzistojnë në Shqipëri, tek klanet kriminale dhe armiqtë e NATO-s dhe kjo është një rrezik i madh që Shqipëria shpërndan në rajon dhe Europë. Mirëkuptimi ishte i plotë nga audienca.

Përveç kësaj mora fjalën në debatin që u zhvillua për raportin mbi ‘terapinë konvertuese’, terapinë ç’njerëzore, një agresion i vërtetë që bëhet ndaj fëmijëve për të ndryshuar gjinitë.

Ftova të pranishmit që të vijnë në Shqipëri, të shohin pasojat e rënda të transformimit të Shqipërisë në republikën e Xhorxh Soros apo në kopshtin e lulëzuar të këtij të fundit, ku fëmijëve në kopsht dhe në shkolla fillore, u jepen tekste, figurina dhe objekte mësimore për t’i manipuluar në drejtim të ndryshimit të gjinisë.

Theksova se, kjo propagandë është propaganda e ekstremit të majtë që synon rivendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë e botë. Debatet për këtë çështje natyrisht nuk ishin të njëjta, por në tërësi u shprehën rezerva shumë të mëdha për raportin i cili në një farë mënyre kërkonte të legjitimonte ‘terapinë konvertuese’ ndaj fëmijëve për ndryshim gjinie.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit