

Durrës, 27 janar 2026 – Është zbardhur dëshmia e 56-vjeçarit Mikel Ndoj, i arrestuar pasi plagosi me mjet prerës vajzën e tij 24-vjeçare dhe një shtetas tjetër, paraditen e së hënës në lagjen nr. 12 të qytetit të Durrësit.
Gjatë deklarimit të dhënë para hetuesve, Ndoj ka shprehur pendesë për veprimet e tij, duke pohuar se në momentin e ngjarjes ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e alkoolit.
Sipas tij, konflikti ka lindur pas përpjekjes për t’u ribashkuar me familjen, nga e cila ishte ndarë prej rreth gjashtë vitesh. 56-vjeçari ka deklaruar se kishte shkuar në vendin e punës së vajzës për të biseduar me të, por situata është përshkallëzuar pas refuzimit të saj për të pasur kontakte me të atin.
Në dëshminë e tij, ai ka pohuar se nuk mban mend me saktësi momentet e ngjarjes, ndërsa ka shprehur keqardhje të thellë për plagosjen e vajzës dhe të shtetasit Onard Memlika, i cili ndërhyri për të parandaluar konfliktin dhe mbeti i dëmtuar.
"Shkova te vendi i punës së vajzës pasi nuk po më përgjigjej në telefon. Dua të ribashkohem me familjen por vajza ka ndikuar negativisht. Nuk donte të kishte të bënte më me mua, më shpërfillte, më injoronte. Shkova për t’i thënë se doja të bisedoja me të, por më tha se nuk dua të kem asnjë lidhje me ty, për mua nuk ekziston më. Në këtë moment m’u errësuan sytë, i thashë hajde dalim pak përjashta që të flasim. Ajo më shtyu. Nuk mbaj mend më se çfarë ndodhi. Ishte edhe një djalë aty që ndërhyri në ato momente. Teksa po tentonte të më largonte u pre nga thika edhe ai. Më pas ika dhe u fsheva diku afër repartit të zjarrfikëses. Aty e kuptova çfarë kishte ndodhur. Unë isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe kisha konsumuar alkool. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Jam penduar shumë. U kërkoj falje vajzës dhe djalit që u plagos. Djalin nuk e njihja fare. Nuk di çfarë të them, ndihem shumë keq", ka dëshmuar 56-vjeçari.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 26 janarit, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se prindërit e vajzës ishin divorcuar për shkak të dhunës në familje, çka kishte çuar në largimin e 56-vjeçarit jashtë vendit për disa vite.
Sipas burimeve zyrtare, Mikel Ndoj rezulton me precedent penal në Itali për vepra të dhunës. Pas rikthimit të tij në Shqipëri dhe përpjekjeve për ribashkim familjar, refuzimi i vajzës ka çuar në konfliktin që përfundoi me plagosjen e saj dhe të një kalimtari të rastit.
Të plagosurit ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ndërsa ndaj autorit po vijojnë procedurat ligjore për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






