Transmetuar më 27-01-2026, 11:46

Një aksident i rëndë rrugor u regjistrua pasditen e së hënës në aksin Kabash–Poroçan, në territorin e bashkisë Gramsh, ku një mjet tip kamion doli nga rruga dhe përfundoi në një zonë pyjore me pjerrësi të madhe.

Si pasojë e aksidentit humbi jetën infermierja Dëshira Hoxha, ndërsa dy persona të tjerë, mësuesja Albana Boja dhe drejtuesi i mjetit, mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë drejt spitalit, ku ndodhen nën kujdes mjekësor në gjendje të rëndë.

Shërbimi zjarrfikës i Gramshit bëri të ditur se operacioni i shpëtimit ishte tepër i vështirë për shkak të terrenit të rrezikshëm dhe pozicionit të mjetit. Sipas tyre, fillimisht u bë e mundur nxjerrja e mësueses, më pas e drejtuesit të kamionit, ndërsa pas një ndërhyrjeje që zgjati mbi një orë, u nxor edhe infermierja, e cila fatkeqësisht u konstatua pa shenja jete.

“Forcat tona u përballën me kushte ekstreme dhe një garë me kohën për të shpëtuar jetët e të aksidentuarve. Fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve, infermierja nuk arriti të mbijetonte”, thuhet në reagimin e Shërbimit Zjarrfikës.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin e Gramshit, veçanërisht në shërbimin shëndetësor lokal, ku Dëshira Hoxha njihej për përkushtimin dhe shërbimin e saj ndaj banorëve të zonave të thella malore.

Autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit