Transmetuar më 27-01-2026, 11:34

Bardhi: Kuvendi është kthyer në bunker për të mbrojtur Ballukun, akuzat 1.1 miliardë euro janë prova të SPAK

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ashpërsuar akuzat ndaj mazhorancës dhe Kuvendit, duke deklaruar se institucioni ligjvënës po shërben si mburojë politike për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, pavarësisht hetimeve dhe provave të paraqitura nga SPAK.

Në fjalën e tij në Kuvend, Bardhi tha se Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzohet dhe është nën hetim për 11 procedura tenderuese dhe koncesione me vlerë totale 1.1 miliardë euro, por vijon të ushtrojë detyrën sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Sipas tij, këto nuk janë pretendime apo sajesa të opozitës, por prova të depozituara nga SPAK në dosjen e paraqitur në Kuvend.

Ai akuzoi maxhorancën se ka nisur sesionin parlamentar me heshtje të qëllimshme për të mbrojtur pushtetin nga drejtësia, duke theksuar se Kuvendi ka dështuar në detyrimin kushtetues për të vepruar mbi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, që prej datës 19 dhjetor.

Bardhi deklaroi se zëvendëskryeministrja vazhdon detyrën pavarësisht se është e pandehur dhe nën hetim aktiv për procedura prokurimi të dyshuara si të paracaktuara, herë prej saj dhe herë me urdhër të drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama. Ai shtoi se në dosjen e SPAK ndodhen mijëra prova që tregojnë, sipas tij, korrupsion të shtrirë nga majat deri në themelet e qeverisjes.

Në vijim, Bardhi drejtoi akuza direkte edhe ndaj kryeministrit Rama, duke thënë se mbrojtja e Ballukut nga Kuvendi po bëhet me urdhër të tij, pasi sipas opozitës, pas veprimeve të zëvendëskryeministres qëndron vetë kryeministri.

Sipas Bardhit, kërkesa e Partisë Demokratike ka qenë e qartë dhe e vetme: mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe mosbllokimi i drejtësisë, ndërsa çdo veprim tjetër, tha ai, përbën mbrojtje politike të korrupsionit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit