Transmetuar më 27-01-2026, 10:41

Një operacion i mirëorganizuar policor ka zbuluar një veprimtari të gjerë të dyshuar kriminale në fshatin Rrilë të Lezhës, ku në një objekt trekatësh ishin ngritur ambiente të posaçme për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit.

Operacioni i koduar “Second Floor”, i zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë, çoi në zbulimin e katër ambienteve të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike, të furnizuara me pajisje elektrike dhe lidhje të paligjshme të energjisë.

Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 8.8 kilogramë kanabis të tharë, 1064 bimë kanabisi, 960 fidanë, 850 fara, 106 llamba elektrike, si dhe 180 gramë lëndë të dyshuar kokainë. Po ashtu u gjetën dhe u sekuestruan tre armë zjarri, dy armë sportive, një automjet dhe katër aparate celularë.

Në flagrancë u arrestuan dy shtetas, babë e bir, Arben Gjergji, 57 vjeç, dhe Arnold Gjergji, 22 vjeç, të dyshuar si autorë kryesorë të kësaj veprimtarie që dyshohet se zhvillohej prej disa muajsh.

Në vijim të hetimeve, u vu në pranga edhe Gjon Doda, 59 vjeç, punonjës i OSHEE-së, i dyshuar si bashkëpunëtor, ndërsa ndaj katër punonjësve të tjerë të këtij institucioni nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shpërdorim detyre.

Sipas policisë, ambientet funksiononin përmes lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, ndërsa hetimet po vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit