

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas vijojnë punën intensive për garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe zbatimin e procedurave të kontrollit në kufi, me fokus parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie.
Si rezultat i kontrolleve të dedikuara, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e inteligjencës policore, të intensifikuara me qëllim parandalimin e çdo paligjshmërie, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë në aeroportin e Rinasit, finalizuan operacionin policor të koduar “Siguria”, në kuadër të të cilit u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri, nga Shqipëria në Itali.
Gjatë këtij operacioni, u kap në flagrancë, në dalje të Shqipërisë, dhe u vu në pranga shtetasi shqiptar H. H., 30 vjeç, rezident në Itali.
Nga kontrolli nëpërmjet skanerit, në bagazhet e këtij shtetasi, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






