

Në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas është finalizuar operacioni policor i koduar “Siguria”, në kuadër të të cilit u godit një rast i tentativës për trafikim të armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Italisë.
Gjatë kontrolleve të intensifikuara, bazuar në analizën e riskut dhe informacionet e inteligjencës policore, shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me strukturat e sigurisë së aeroportit, kapën në flagrancë në dalje të Shqipërisë shtetasin shqiptar Halil Hysaj, 30 vjeç, rezident në Itali.
Nga kontrolli i kryer me skaner në bagazhet e tij, u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë së bashku me municion luftarak, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Policia bën me dije se shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas vijojnë punën intensive për garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe zbatimin rigoroz të procedurave kufitare, me fokus parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






