

Një konvoj i gjatë automjetesh të blinduara, të pajisura me drita pulsuese dhe të shënuara qartë me mbishkrimin “Shteti i Katarit”, ka kaluar nëpër qendrën e Milanos, duke shkaktuar vonesa në trafik dhe duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve.
Megjithëse pamja krijoi përshtypjen e një vizite zyrtare apo situate emergjente, autoritetet sqarojnë se bëhej fjalë për një operacion të planifikuar sigurie, pjesë e përgatitjeve për Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina, që nisin më 6 shkurt.
Automjetet, të paktën nëntë gjithsej, mbërritën fillimisht në Itali nëpërmjet Aeroportit të Malpensës dhe më pas u drejtuan drejt Milanos në dy konvoje të ndara. Lëvizja e tyre përfshiu disa nga zonat më simbolike dhe strategjike të qytetit, përfshirë sheshin Duomo, Arco della Pace, Kështjellën Sforza dhe stadiumin “San Siro”.

Operacioni u konceptua si një provë operative në terren, me qëllim testimin e kohëzgjatjes, koordinimit ndërinstitucional dhe menaxhimit të trafikut urban në kushte sigurie të lartë. Në simulim morën pjesë edhe 104 efektivë sigurie, të angazhuar në një stërvitje në shkallë të plotë.
Prania e automjeteve dhe forcave të Katarit lidhet me një marrëveshje bashkëpunimi mes Italisë dhe Katarit, e nënshkruar në shtatorin e kaluar gjatë vizitës së Ministrit të Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, në Doha. Marrëveshja parashikon mbështetjen e forcave të sigurisë së Katarit në menaxhimin e rendit publik gjatë zhvillimit të Lojërave Olimpike.
Mbërritja e konvojit në Milano shënon nisjen konkrete të bashkëpunimit operacional mes dy vendeve, në kuadër të përgatitjeve për një nga ngjarjet më të mëdha dhe më komplekse për sa i përket organizimit dhe sigurisë që Italia do të përballet në vitet e ardhshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






