Transmetuar më 27-01-2026, 07:46

Qeveria shqiptare ka planifikuar për vitin 2026 indeksimin e pagave me 2.5%, në të njëjtën masë me inflacionin, për të gjithë punonjësit e administratës publike dhe të pushtetit vendor. Sipas INSTAT, inflacioni vjetor është në masën 2.5 për qind edhe pse vetë qytetarët përballen me rritje shumë më të lartë të kostos së jetesës thuajse në të gjitha produktet dhe shërbimet.

Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka konkretizuar këtë politikë përmes një projektvendimi, i cili parashikon rritje page për pesë kategori të punonjësve të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Indeksimi do të zbatohet njësoj si për funksionarët dhe nëpunësit civilë të administratës qendrore.

Sipas relacionit shoqërues të projektvendimit, rritja mujore e pagave do të variojë nga 1,000 deri në 10,000 lekë, në varësi të kategorisë dhe pozicionit të punës.

Rritja më e lartë, prej 10 mijë lekësh në muaj, parashikohet për punonjësit mbështetës të administratës vendore, duke e çuar pagën bazë nga 40–47 mijë lekë në 50–57 mijë lekë në muaj.

Për funksionarët e zgjedhur të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të pushtetit vendor, kufijtë minimalë të pagave do të rriten nga 3,925 lekë në 6,700 lekë në muaj, ndërsa kufijtë maksimalë nga 4,625 lekë në 7,969 lekë në muaj.

Për pozicionin “specialist”, klasa IV-4, propozohet një indeksim prej 1,000 lekësh në muaj, ndërsa për pozicionin “Sekretar i Përgjithshëm” në Bashkinë e Tiranës, rritja arrin në 2,625 lekë në muaj.

Ndërkohë, për nëpunësit e klasave III dhe IV parashikohen rritje mujore nga 4,000 deri në 5,000 lekë, ndërsa për klasat I dhe II rritja varion nga 3,525 deri në 5,425 lekë në muaj.

Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe do të ketë efekt nga data 1 janar 2026.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit