Transmetuar më 26-01-2026, 23:09

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po vlojnë nga vrasjet e vazhdueshme policore ku shumë prej tyre janë denoncuar si ekzekutim qytetarësh të pafajshëm, sonte në Itali, një emigrant në moshë të re, provokoi policinë vendase duke u ekspozuar me një armë paçka se të rreme dhe mbeti i vrarë.

Çfarë ndodhi në Milano

Një 28-vjeçar humbi jetën pasditen e sotme, të hënën 26 janar, në Milano, në rrugën Giuseppe Impastato, pranë stacionit hekurudhor të Rogoredos. I riu u vra gjatë një përplasjeje me armë zjarri me policinë, pasi u qëllua me një plumb në kokë.

Të shtënën e kreu një punonjës policie i Komisariatit Mecenate, i angazhuar në kontrolle pranë stacionit të metrosë San Donato Milanese, pak para orës 18:00. Sipas rindërtimit fillestar të Policisë së Milanos, agjentët e një patrulle po kryenin arrestimin e një personi të dyshuar për trafik droge, kur 28-vjeçari u afrua.

I riu, i lindur në vitin 1997, me origjinë marokene dhe me precedentë për trafik droge dhe rezistencë ndaj punonjësve të policisë, dyshohet se nxori një armë dhe e drejtoi atë drejt agjentëve. Pasi iu kërkua të ndalonte, njëri prej tyre hapi zjarr, duke e goditur në kokë.

Sipas asaj që raporton Fanpage.it, të shtënën e kreu një polic civil dhe, siç u konfirmua nga verifikimet e mëvonshme, 28-vjeçari po mbante në dorë një kopje të një pistolete Beretta me fishekë manovër.

Në momentin e mbërritjes së shërbimit mjekësor të urgjencës 118, i riu kishte ndërruar jetë. Asnjë punonjës policie nuk mbeti i plagosur.

Hetimet e Policisë së Milanos janë ende në vijim dhe po koordinohen nga prokurori i turnit Giovanni Tarzia dhe nga kryeprokurori Marcello Viola. Në orët në vijim, hetuesit do të marrin dëshminë e punonjësit të policisë, i asistuar nga avokati Pietro Porciani, i cili hapi zjarr ndaj 28-vjeçarit, për të rindërtuar plotësisht dinamikën e ngjarjes.

Polici konsiderohet aktualisht nën hetim, por ende nuk është bërë e ditur akuza konkrete që i është ngritur.

Paralele me ato që ndodhin në SHBA

Të gjitha autoritetet do të duhet të rindërtojnë në detaje këtë ngjarje që pritet të shkaktojë debate, duke sjellë në mendje, në mënyrë instinktive, zhvillime të ngjashme përtej Oqeanit.

Për këtë është i vetëdijshëm edhe ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi. “Lajmet e para, natyrisht, mbartin ende një shkallë pasaktësie,” deklaroi ministri. “Nuk kam arsye të paragjykoj për ligjshmërinë apo proporcionalitetin e ndërhyrjes, por nuk u japim askujt imunitet. Autoritetet kompetente do ta shqyrtojnë rastin,” shtoi Piantedosi. “Kërkoj vetëm të mos bëhen supozime për fajësi. Nga ana ime, siguroj se nuk do të ketë mburoja imuniteti. Do t’i referohemi me qetësi vlerësimit të mënyrës se si kanë ndodhur faktet.”

Debati mbi sigurinë në Milano rihapet pikërisht në ditën kur po diskutohej edhe për zërat mbi praninë e mundshme të agjentëve amerikanë të ICE në Milano, me rastin e Lojërave Olimpike Dimërore. Sipas burimeve të ambasadës amerikane në Romë, “Homeland Security Investigations e ICE do të mbështesë Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të Departamentit Amerikan të Shtetit”. Ekziston frika se tensioni në qytet mund të rritet sërish, ashtu si pas vdekjes së Ramy Elgaml, 19-vjeçarit egjiptian që humbi jetën më 24 nëntor pas një ndjekjeje nga karabinierët.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit