Transmetuar më 26-01-2026, 22:18

Gabime, neglizhenca dhe boshllëqe në ligj çuan përfundimisht në ngjarjen e rëndë familjare që u shënua mëngjesin e së dielës në Glyfada, me autorin 46-vjeçar që kishte qenë i dënuar edhe më parë për humbjen e jetës së nënës së tij.

46-vjeçari, i cili sot është i akuzuar, e kishte vuajtur dënimin në Spitalin Psikiatrik të Burgjeve të Korydallos, ku qëndroi rreth katër vjet. Sipas ligjit që ishte në fuqi në atë kohë, çdo ditë qëndrimi në psikiatri llogaritej dyfish, ndaj konsiderohet se ai kishte vuajtur tetë vite burg.

Pas kësaj, Këshilli i Burgjeve të Korydallos vendosi se ai mund të lirohej me kushte kufizuese. Paralelisht, psikiatrit e burgjeve të Korydallos vlerësuan se ai duhej të vazhdonte të ndiqej psikiatrikisht dhe kërkuan shtrimin e tij të detyruar.

Dokumenti i lirimit, i publikuar nga in.gr, në vitin 2018, theksonte qartë se ky person përbënte rrezik për veten dhe për rrethin e tij dhe se kishte nevojë për trajtim spitalor. Ai u shtrua në spitalin psikiatrik Dromokaiteio dhe pas një kohe u la sërish i lirë me kushte kufizuese.

“Doja të vrisja edhe të tjerë”, kishte deklaruar 46-vjeçari pas ngjarjes së rëndë me nënën e tij.

“Babai i tij u përpoq ta nxirrte dhe ia doli. Sipas fqinjëve, thoshte ‘do ta mbaj unë në shtëpi me terapinë e tij mjekësore’ dhe pas një kohe ia doli”, tregojnë dëshmitë.

Ai jetonte bashkë me të dhe çdo muaj paraqitej në komisariatin e zonës.

Kohët e fundit, 46-vjeçari nuk jetonte më me të atin. Siç u vërtetua në mënyrën më tragjike, ai nuk po ndiqte terapinë mjekësore.

“Dy vitet e gjysmë të fundit jetonte vetëm. Ishte larguar nga babai sepse kishte frikë se ai do ta fuste sërish në psikiatri. U largua dhe nuk donte asnjë marrëdhënie me të atin, nuk i fliste fare”.

Babai 80-vjeçar, sipas njerëzve të afërt, kërkonte mënyra për ta ndihmuar djalin e tij. Ai ishte kundër zgjatjes së shtrimit të tij në spital psikiatrik.

“Deri aty sa kishte thënë ‘bëni lutje për fëmijën tim, ka disa probleme psikologjike’. I thashë të konsultohej me një mjek, me dikë. Nuk mund të pyesësh më shumë nëse nuk të jep mundësinë të flasësh më tej. Unë thjesht i thashë se nëse ka probleme psikologjike, mund të këshillohet me një mjek”, tregon një prift.

Shtrimi i tij në Dromokaiteio

46-vjeçari ishte dënuar me 16 vite burg për vrasje dhe më 3 maj 2018 u lirua nga burgu dhe, me urdhër të prokurorit, u dërgua në Dromokaiteio.

Vitet në vijim, me trajtimin e duhur mjekësor, duket se gjendja e tij u përmirësua, megjithëse nuk munguan tensionet. Në vitin 2022, pas një sherri të fortë në lagje, 46-vjeçari u shtrua sërish në Dromokaiteio. Që nga ajo kohë, marrëdhënia mes babait dhe djalit u prish përfundimisht.

“U grind me shitësin e kioskës dhe pas kësaj e futën në psikiatri. Kishte shkuar në ‘Sotiria’ për shtrim dhe nuk e donte fare babanë e tij”.

Vitet e fundit jetonte i vetëm në një banesë në Neos Kosmos. Në fillim të këtij muaji shiti të gjitha sendet që kishte dhe mëngjesin e së dielës vendosi të vrasë të atin, në të njëjtën mënyrë siç kishte vrarë edhe gruan që e kishte sjellë në jetë. /Përktheu noa.al me të dhëna nga In Greece/

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit