Transmetuar më 26-01-2026, 18:51

Athinë, 26 janar 2026

Hetimet për vrasjen e 49-vjeçarit Jani Aliaj, e ndodhur disa ditë më parë në zonën G’ të burgut të sigurisë së lartë në Korydallos, kanë marrë një kthesë të re. Autoritetet greke po shqyrtojnë seriozisht mundësinë që autori real i krimit të mos jetë i dënuari grek që fillimisht mori përgjegjësinë, por një tjetër i burgosur me origjinë shqiptare.

Bëhet fjalë për Juliand Halilin, 44 vjeç, i njohur edhe me emrat Xhuliano Halili ose Niko, i cili konsiderohet nga policia greke si një prej personave më të rrezikshëm të botës së krimit. Halili dyshohet për përfshirje në të paktën katër vrasje, një tentativë vrasjeje dhe aktualisht po hetohet edhe për vrasjen e fundit të ndodhur brenda burgut të Korydallos.

Sipas dosjes hetimore, Halili ka vepruar për vite me radhë nën urdhrat e mafiozit të njohur grek Vasilis Varelas, një figurë kyçe e krimit të organizuar në Greqi, i lidhur me trafikun e drogës dhe veprimtari të tjera të rënda kriminale.

Autoritetet greke bëjnë me dije se aktiviteti kriminal i Halilit, në kuadër të këtij grupi, daton që nga viti 2008. Mes ngjarjeve më të rënda për të cilat akuzohet janë:

– Më 11 nëntor 2008, në Mikromani të Kalamatës, u vra me armë zjarri 29-vjeçari Sotiri Psikopaida, punonjës i një diskoteke, i qëlluar katër herë, përfshirë një plumb në kokë.

– Më 6 mars 2009, në Nea Filadelfia, Halili dyshohet se qëlloi dy herë në kokë dhe një herë në gjoks ish-bashkëshortin e gruas së Varelas, i cili mbijetoi pas ndërhyrjeve kirurgjikale.

– Më 5 gusht 2009, në Igumenicë, u tentua një atentat i dytë ndaj të njëjtit person, por arma e autorit u bllokua.

– Më 29 nëntor 2011, nën urdhrat e Varelas, Halili akuzohet se ekzekutoi 35-vjeçarin Fillim Mesaja dhe djalin e tij 2 vjeç e gjysmë, Oligert Mesaja, pranë lumit Pamiso në Mesinia, në një ngjarje të rëndë të lidhur me larje hesapesh kriminale.

Në vitin 2018, Halili u arratis nga Porti i Pireut gjatë transferimit drejt burgut, së bashku me të dënuarin Alfons Ndoci, por të dy u arrestuan sërish pas pak kohe nga autoritetet greke.

Ngjarja më e fundit e rëndë që i atribuohet atij ka ndodhur në qershor 2024, brenda burgut të Korydallos, ku Halili dyshohet se vrau të burgosurin Alfons Ndoci dhe plagosi Altin Vokrrin. Sipas hetimeve, kjo vrasje mendohet se ishte porositur nga jashtë burgut kundrejt një shpërblimi financiar.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar rolin konkret të Halilit edhe në vrasjen e Jani Aliajt, ndërsa dosja konsiderohet ndër më të rëndat që lidhen me krimin e organizuar brenda sistemit penitenciar grek.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit