

Kryeministri Edi Rama ka vijuar fjalimin e tij në parlamentin izraelit, Knesset, ku u ndal te zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe qëndrimi i Shqipërisë lidhur me konfliktin Izrael–Hamas.
Gjatë fjalës së tij, Rama përdori edhe nota ironie, duke shkëmbyer batuta me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Ai u shpreh se do të përpiqej t’i “mbijetonte gjykimit” të tij dhe theksoi se është spikeri i dytë ndërkombëtar që flet në Knesset pas presidentit amerikan Donald Trump.
“Do të bëj më të mirën për t’i mbijetuar gjykimit tënd. Jam i dyti spiker ndërkombëtar pas Trump që mbaj fjalim këtu. Më lejoni, me një frymë të thjeshtë, të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time për këtë ftesë,” u shpreh Rama.
Në deklaratat e tij, kryeministri shqiptar theksoi se përgjegjësia për dhunën në rajon i takon Hamasit, duke e cilësuar atë si organizatë terroriste me ideologji totalitare.
“Xhelati është Hamasi dhe askush tjetër,” deklaroi Rama, duke shtuar se kjo organizatë vepron njësoj kundër palestinezëve dhe popullit hebre.
Sipas tij, pa çarmatosjen dhe çmontimin e plotë të Hamasit, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në rajon. “Derisa Hamasi të çarmatoset dhe të çmontohet, asnjë paqe nuk do të zgjasë dhe nuk mund të arrihet,” përfundoi kryeministri.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






