

Kryeministri Rama, i cili ndodhet në Jeruzalem, Izrael me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, u takua sot me Kryeministrin e vendit Benjamin Netanyahu, me të cilin zhvilloi një takim kokë më kokë, që u pasua nga takimi mes dy delegacioneve.
Pas këtyre takimeve, kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Izraelit dhanë një deklaratë për shtyp.
Kryeministri Edi Rama tha ndër të tjera se "edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën, me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë".
Për Ramën, "kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese".
Ndërsa Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu i tha Ramës se "ju qëndroni me kurajë kundër atyre që duan t’ju sprapsin, ju qëndroni krahë së vërtetës, ju qëndruat krahë Izraelit kur u sulmuam nga barbarët, busulla juaj morale nuk u lëkund, dhe kjo është diçka që ne e vlerësojmë thellësisht dhe që ju shënjon si një udhëheqës të jashtëzakonshëm të popullit tuaj dhe mendoj për ato segmente njerëzimi që duan që e vërteta të mbrohet e të mbrohen vlerat morale që bashkëndajmë".
/noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






