

Partia Demokratike e Shqipërisë, deputetja Elda Hoti: Ndryshimet në Kodin Penal të Ramës shndërrohen në mjet frike, kriminalizon qytetarët dhe mbron kriminelët
Partia Demokratike ka reaguar ashpër ndaj ndryshimeve të propozuara në Kodin Penal, të cilat pritet të kalojnë për votim në Kuvend. Deputetja e PD-së, Elda Hoti, në një deklaratë për media, ka akuzuar qeverinë se po përdor ligjin penal si mjet presioni ndaj qytetarëve dhe medias, ndërsa sipas saj po shmang goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
Sipas Hotit, edhe pse projektligji paraqitet si një nismë për përafrim me legjislacionin e Bashkimit Evropian, në thelb ai sjell masa represive dhe një zhvendosje të rrezikshme drejt penalizimit disproporcional. Ajo theksoi se ndryshimet parashikojnë ashpërsim të ndjeshëm të dënimeve, rritje të kufijve minimalë penalë dhe kufizim të diskrecionit të gjykatave, duke cenuar parimet e sigurisë juridike dhe proporcionalitetit.
Deputetja e PD-së u ndal veçanërisht te disa nene të Kodit Penal, për të cilat tha se krijojnë paqartësi juridike dhe hapin rrugë për abuzim. Sipas saj, formulimet e reja mund të përdoren për ndjekje selektive, për ndëshkim të protestës qytetare dhe për forcimin e një qasjeje penale që, siç u shpreh ajo, mbron autoritetin politik më shumë sesa rendin kushtetues.
Një nga pikat më të debatueshme, sipas Hotit, është parashikimi i dënimeve penale deri në burg për shkelje administrative, si parkimi i dyfishtë. Ajo e cilësoi këtë si një veprim absurd dhe të padrejtë, që nuk ka lidhje me sigurinë publike, por synon të zhvendosë vëmendjen nga dështimet e qeverisë në urbanistikë, infrastrukturë dhe menaxhimin e hapësirave publike.
“Është e papranueshme që shkeljet administrative të trajtohen si vepra penale, ndërkohë që korrupsioni i nivelit të lartë, zënia e hapësirave publike dhe shkeljet e rënda urbanistike mbeten realisht të pandëshkuara,” deklaroi Hoti, duke shtuar se ligji penal duhet të jetë mjeti i fundit i ndërhyrjes së shtetit dhe jo një instrument frikësimi.
Ajo theksoi gjithashtu se edhe raporti i konsultimit publik tregon se shumë komente profesionale dhe shqetësime janë refuzuar, ndërsa ndryshimet më problematike po shtyhen për miratim me procedurë të përshpejtuar.
Në përfundim, deputetja e Partisë Demokratike u shpreh se ky projektligj rrezikon të shndërrojë Kodin Penal nga një mjet mbrojtjeje të shoqërisë në një instrument kontrolli, duke goditur qytetarët e zakonshëm, lirinë e shprehjes dhe të drejtën për protestë. Sipas saj, rritja e dënimeve penale nuk përbën reformë dhe çdo përpjekje për të forcuar pushtetin përmes frikës do të kundërshtohet.
Deklarata e plotë
Edi Rama ka vendosur të kalojë nesër në Kuvend ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal, të cilat përfshijnë masa të reja represive ndaj qytetarëve shqiptarë dhe medias. Edhe pse ky projektligj paraqitet si një nismë për përafrim me legjislacionin e Bashkimit Evropian, në thelb përfaqëson një zhvendosje të rrezikshme drejt penalizimit disproporcional dhe kontrollit politik përmes ligjit penal.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, projektligji: -ashpërson në mënyrë disproporcionale masat penale;
-rrit minimumet e dënimit dhe kufizon diskrecionin e gjykatës;
-krijon paqartësi juridike, duke cenuar parimet themelore të sigurisë juridike dhe proporcionalitetit.
Veçanërisht shqetësuese janë ndryshimet që lidhen me:
nenin 120, i cili hap rrugë për kriminalizim të paqartë të sjelljeve dhe shprehjeve, duke krijuar rrezik real për abuzim dhe ndjekje selektive;
nenin 237, i cili, përmes formulimeve të gjera dhe të paqarta, mund të përdoret si instrument ndëshkues ndaj protestës qytetare dhe mosbindjes civile;
nenin 238, i cili forcon një qasje penale represive ndaj qytetarëve, duke zhvendosur balancën nga mbrojtja e rendit kushtetues drejt mbrojtjes së autoritetit politik.
Në kulmin e absurditetit juridik, këto ndryshime synojnë kriminalizimin e parkimit të dyfishtë me dënim deri në tre vite burg. Ky është një akt i rrezikshëm dhe i padrejtë, pa asnjë lidhje me sigurinë publike, por me zhvendosjen e vëmendjes nga dështimet reale të qeverisë.
Në një vend ku mungojnë parkimet publike, ku urbanistika është shkatërruar nga ndërtimet pa leje dhe ku institucionet kanë dështuar të garantojnë hapësira funksionale qarkullimi, qeveria zgjedh rrugën më të lehtë: burg për qytetarët, amnisti për përgjegjësit.
Sjellje tipike e një pushteti që nuk ndërton shtet, por kërkon të mbulojë paaftësinë e vet përmes frikës penale.
Është e papranueshme që një shkelje administrative të trajtohet si vepër penale, ndërkohë që korrupsioni i nivelit të lartë, zënia e trojeve publike dhe shkeljet e rënda urbanistike mbeten realisht të pandëshkuara.
Kjo cenon drejtpërdrejt parimin e proporcionalitetit: nuk mund të barazohet një parkim i gabuar me vepra penale që rrezikojnë seriozisht rendin shoqëror.
Ligji penal duhet të jetë mjeti i fundit i ndërhyrjes shtetërore, jo një instrument frike për të maskuar dështimin institucional. Në vend të ndërtimit të parkimeve, përmirësimit të infrastrukturës dhe zbatimit korrekt të ligjit administrativ, propozohet burgu. Kjo nuk është reformë, por një precedent i rrezikshëm që hap rrugën për kriminalizimin e përditshmërisë.
Edhe vetë Raporti i Konsultimit Publik dëshmon se një sërë komentesh profesionale dhe shqetësimesh thelbësore janë refuzuar, duke u shtyrë në mënyrë të papërgjegjshme për një “Kod Penal të ri”, ndërkohë që ndryshimet më problematike kërkohet të miratohen me urgjencë.
Në tërësi, ky projektligj e shndërron Kodin Penal nga një mjet mbrojtjeje të shoqërisë në një instrument kontrolli dhe frikësimi, duke goditur qytetarët e zakonshëm, lirinë e shprehjes dhe të drejtën për protestë, ndërkohë që krimi i organizuar dhe korrupsioni qeveritar mbeten të paprekur.
Rritja e dënimeve penale nuk është reformë. Represioni penal nuk zëvendëson shtetin ligjor, institucionet funksionale dhe luftën reale kundër korrupsionit.
Çdo përpjekje për të forcuar pushtetin përmes frikës penale është e papranueshme dhe do të kundërshtohet me vendosmëri.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






