

Tiranë, 25 janar 2026
Një 31-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Tiranë, pasi lëvizte i armatosur me pistoletë pa leje, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pasagjeri”, të finalizuar nga Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shërbimet policore ndërhynë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për një shtetas që përbënte rrezik potencial për sigurinë publike, pasi dyshohej se mbante armë zjarri pa leje.
Gjatë operacionit, në bulevardin “Zhan D’ark” u ndalua një automjet tip “Audi”, me drejtues shtetasin S. Z., 51 vjeç, dhe pasagjer shtetasin K. S., 31 vjeç. Nga kontrolli fizik, policia i gjeti 31-vjeçarit në çantën e dorës një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion, e poseduar pa leje.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi K. S. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa drejtuesi i automjetit, shtetasi S. Z., u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






