Transmetuar më 26-01-2026, 11:55

Tiranë, 26 janar 2026 – Bizneset në Shqipëri po hasin vështirësi për të kryer veprime përmes platformës Self-Care të “E-Albania”, e cila nuk funksionon prej më shumë se një jave. Sistemi është përdorur për deklarime doganore, fiskalizimin e faturave dhe veprime të tjera që lidhen me përmbushjen e detyrimeve ligjore.

Edhe pse platforma kishte pasur më parë probleme të herëpashershme, këtë herë ajo është e papërdorshme, duke shfaqur vetëm një pamje statike. Bizneset kanë dërguar ankesa të shumta pranë institucioneve përkatëse, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për rikthimin e funksionalitetit.

Sipas burimeve nga mediat dhe raportimeve të Monitor, problemi lidhet me tenderin e mirëmbajtjes së platformës dhe një valë dorëheqjesh brenda AKSHI-së, institucionit që menaxhon sistemin. Po ashtu, SPAK ka nisur hetimet mbi disa tendera të dhënë nga AKSHI në vitet e fundit.

Në një nga ankesat e drejtuara pranë institucioneve, bizneset theksojnë:

“Prej më shumë se një jave po hasim vështirësi në aksesimin e platformës SelfCare… Si pasojë, procesi i fiskalizimit të faturave, deklaratave doganore etj. është i pamundur, duke na penguar në përmbushjen e detyrimeve ligjore sipas Ligjit nr. 87/2019 dhe VKM nr. 431/2020.”

Kjo situatë ndodh ndërkohë që investimet për qeverisjen digjitale janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit. Financimi për e-qeverisjen në vitin 2025 arriti në 20.1 miliardë lekë (rreth 200 milionë euro), duke u trefishuar krahasuar me vitin 2019. Në total, gjatë katër viteve të fundit, për këtë sektor janë shpenzuar mbi 48 miliardë lekë (afërsisht 500 milionë euro).

Megjithatë, edhe me këtë nivel investimesh dhe me një administratë që është rritur me 20 mijë persona në dekadën e fundit, bizneset raportojnë se problemet me aksesin në platforma digjitale mbeten pengesë për veprimtarinë e tyre dhe për përmbushjen e detyrimeve tatimore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit