Transmetuar më 26-01-2026, 09:42

Cikloni i fuqishëm që ka goditur zonat jugore të Italisë nuk pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në territorin shqiptar. Sipas MeteoAlb, Shqipëria ndodhet në periferi të sistemit ciklonar dhe mbetet jashtë zonës së goditjes së drejtpërdrejtë.

Sinoptikania e MeteoAlb, Lajda Porja, sqaroi se reshjet në vend kanë qenë kryesisht me intensitet të ulët dhe mesatar.

“Fatmirësisht për territorin shqiptar, i cili ndodhet krejtësisht në periferi të ciklonit, reshjet nuk kanë qenë problematike. Vendi ynë nuk preket nga ky ciklon,” u shpreh Porja.

Kujdes të mërkurën: rrezik nga era e fortë

Pas shqetësimeve për ndikimin e mundshëm të ciklonit “Leoni 2” në Ballkan, meteorologia sqaron se ditën e martë reshjet do të jenë në dobësim, ndërsa ditën e mërkurë pritet një përkeqësim i përkohshëm, i shoqëruar kryesisht me erë të fortë.

Sipas Porjas, era përbën rrezikun kryesor, jo përmbytjet.

“Në zonat bregdetare dhe veçanërisht në qarkun e Vlorës, shpejtësia e erës mund të kalojë 80 km/h. Kjo mund të sjellë probleme në trafikun detar dhe kërkon kujdes të shtuar pranë pemëve të vjetra apo objekteve të pasigurta. Nga e enjtja pritet dobësim i erës,” tha sinoptikania.

A rrezikojmë përmbytje?

Muaji janar po mbyllet si një nga muajt më të lagësht, me reshje që në disa zona kanë tejkaluar normën mujore me 40–60 mm. Megjithatë, sipas MeteoAlb, nuk priten situata alarmante.

“Shkurti do të nisë me paqëndrueshmëri, por pa përmbytje masive si ato të Italisë. Mund të ketë vetëm probleme lokale urbane për shkak të kanalizimeve ose reshjeve intensive afatshkurtra,” sqaroi Porja.

Temperaturat dhe dëbora

Temperaturat do të mbeten relativisht të larta për stinën, duke arritur deri në 15–16°C, por ndjesia e të ftohtit do të jetë e pranishme për shkak të lagështirës së lartë dhe mungesës së diellit.

Dëbora do të mbetet e izoluar në lartësitë mbi 900 metra, pa ndikim në zonat urbane. Për udhëtimet në zonat malore gjatë fundjavës, këshillohet kujdes për shkak të ngricave dhe temperaturave negative.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit