Transmetuar më 26-01-2026, 09:27

Policia ka finalizuar fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, duke arrestuar në Tiranë një 30-vjeçar, i dyshuar si autor i një serie vjedhjesh të kryera gjatë vitit 2025 dhe janarit 2026.

Në pranga është vënë shtetasi Emiljan Nikolli, alias Emiljan Lleshi, 30 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kanosja”.

Sipas policisë, 30-vjeçari dyshohet se ka kryer 11 vjedhje, prej të cilave 7 nën kërcënimin e armës, konkretisht në dy karburante, një dyqan dhe ndaj katër taksistëve, ku dyshohet se ka përdorur një pistoletë lodër. Po ashtu, ai dyshohet se ka kryer edhe katër vjedhje të tjera në markete dhe banesa.

Gjithashtu, 30-vjeçari akuzohet se ka djegur pjesërisht një automjet në Tiranë dhe ka kanosur me fjalë ish-vjehrrën e tij.

Gjatë momentit të arrestimit, ai ndodhej në shoqërinë e shtetasit G. D., 42 vjeç, banues në Tiranë. Nga kontrolli i banesës së këtij të fundit u sekuestruan armë gjahu, municion i kalibrave të ndryshëm dhe një aparat celular. 42-vjeçari u procedua penalisht për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.

Policia vijon punën për kapjen e një shtetasi tjetër, A. L., i dyshuar si bashkëpunëtor, ndërsa hetimet po thellohen për zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit