Transmetuar më 26-01-2026, 07:53

Tiranë, 26 janar 2026 Një prind me dy fëmijë nën 18 vjeç dhe me të ardhura vjetore bruto nën 1.2 milionë lekë përfiton rreth 25,481 lekë kompensim për shpenzimet e arsimit, pas plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA), sipas një shembulli konkret të publikuar nga revista “Monitor”.

Shembulli i referohet një individi që ka deklaruar të ardhura bruto vjetore në nivelin 1,189,374 lekë për vitin 2025 dhe ka dy fëmijë në ngarkim, njëri prej të cilëve ndjek arsimin në një shkollë private. Tatimi i paguar gjatë vitit 2025 ka qenë 107,820 lekë.

Megjithëse për këtë nivel të ardhurash individi nuk ka detyrim ligjor për të plotësuar DIVA-n, hyrja në fuqi e ligjit të ri “Për tatimin e të ardhurave” i jep mundësinë për të përfituar kompensim për shpenzimet e arsimit të fëmijëve, çka e ka shtyrë deklaruesin ta plotësojë për herë të parë deklaratën.

Pas hapjes së DIVA-s, të dhënat për të ardhurat dhe tatimin e paguar janë gjeneruar automatikisht nga sistemi. Deklaruesi ka shtuar vetëm numrin e fëmijëve në ngarkim dhe vlerën e shpenzimeve për arsimin, në masën 100 mijë lekë, për të cilat disponon dokumentacion justifikues. Sistemi ka njohur gjithashtu automatikisht shpenzimet për kujdestarinë e fëmijëve në vlerën 96 mijë lekë.

Në total, nga të ardhurat bruto janë zbritur 360 mijë lekë si zbritje për të ardhurat nga punësimi, 96 mijë lekë për fëmijët në ngarkim dhe 100 mijë lekë për shpenzimet e arsimit. Pas këtyre zbritjeve, baza e tatueshme ka zbritur në 633,374 lekë.

Si rezultat, tatimi i rillogaritur ka rezultuar 82,339 lekë. Diferenca mes tatimit të paguar gjatë vitit dhe tatimit të rillogaritur përbën tatimin e mbipaguar, i cili kthehet si kompensim në vlerën 25,481 lekë.

Sipas autoriteteve tatimore, afati për plotësimin dhe dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave për vitin 2025 është deri më 31 mars 2026. Skema e re e zbritjeve dhe kompensimeve synon të lehtësojë barrën fiskale për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mbështesë shpenzimet për arsimin e fëmijëve, në kuadër të reformës së re të tatimit mbi të ardhurat.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit