

Jeruzalem, 26 janar 2026 Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në Izrael për një vizitë zyrtare dyditore, e cila ka nisur më 25 janar dhe do të përfundojë më 27 janar, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. Pika kulmore e kësaj vizite është fjalimi i sotëm historik i Ramës përpara Parlamentit izraelit, Knesset, gjatë një seance plenare speciale.
Sipas axhendës zyrtare, në orën 11:00 kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve. Në përfundim, dy kryeministrat do të mbajnë një deklaratë të përbashkët për mediat.
Në orët e pasdites, Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, do të mbërrijë në ambientet e Knessetit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Parlamentit izraelit, Amir Ohana. Ceremonia përfshin roje nderi, ekzekutimin e himneve kombëtare dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe atë të viktimave të terrorit. Më pas, kryeministri shqiptar do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall dhe do të zhvillojë një takim zyrtar me Kryetarin e Knessetit.
Në orën 16:15 pritet të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, gjatë së cilës do të mbajnë fjalë Kryetari i Parlamentit, Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, lideri i opozitës Yair Lapid dhe Kryeministri Edi Rama. Fjalimi i Ramës konsiderohet historik, pasi sipas protokollit të posaçëm të Knessetit, kjo tribunë u është rezervuar vetëm një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj, mes tyre së fundmi edhe Presidentit të SHBA-së, Donald J. Trump.
Pas fjalimit, në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit. Ndërkohë, Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare izraelite, ndërsa më herët gjatë ditës ajo do të marrë pjesë në një vizitë në Bibliotekën Kombëtare, së bashku me bashkëshorten e Presidentit të Izraelit, Michal Herzog.
Ditën e martë, më 27 janar, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalim në prani të Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog. Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, kreu i qeverisë shqiptare do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në Muri i Lotëve dhe në Kishën e Varrit të Krishtit.
Gjatë ditës së diel, Rama dhe bashkëshortja e tij vizituan memorialin e viktimave të Festivalit Nova, monument kushtuar viktimave të sulmeve të 7 tetorit 2023, duke shprehur respekt dhe solidaritet me familjet e të prekurve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






