Transmetuar më 25-01-2026, 22:57

Shkup, 25 janar 2026 Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë paralajmëruar se nesër, rreth mesditës, rreth 370 automjete të rënda do të bllokojnë të gjitha pikat kufitare të vendit, si pjesë e një proteste të paralajmëruar nga një shoqatë e transportit të mallrave.

Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 00:01 e datës 26 janar 2026 do të ndalohet hyrja e mjeteve transportuese të mallrave në territorin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa nga ora 12:00 do të ndalohet edhe dalja e tyre. Ky kufizim do të zgjasë, sipas planit të protestuesve, shtatë ditë, por ata kanë paralajmëruar se janë të gatshëm ta ndërpresin bllokadën nëse Bashkimi Evropian nis negociata për zgjidhjen e çështjes.

Autoritetet bëjnë me dije se do të përjashtohen nga ndalimi mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë medikamente mjekësore dhe bagëti, të cilat do të lejohen të qarkullojnë normalisht.

Shkak për protestën është sistemi i ri i hyrje-daljes në vendet e zonës Shengen, i cili kufizon qëndrimin e shoferëve të kamionëve nga Ballkani Perëndimor. Protestuesit paralajmërojnë se nëse ky problem nuk zgjidhet, kostot e transportit do të rriten shumëfish, duke sjellë një valë rritjeje të çmimeve të produkteve dhe kërcënim serioz për ekonominë e rajonit.

“Nëse qoftë ditën e parë apo të dytën dërgohet sinjal tek institucionet kompetente të shtetit tonë se do të zhvillohen takime për gjetjen e një zgjidhjeje, ne menjëherë do ta ndërpresim bllokadën. Nuk duam t’i shkaktojmë dëm as vetes, as ekonomisë,” tha Biljana Muratovska, nga Shoqata e Transportit Makam-Trans.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut deklaron se është në komunikim me përfaqësuesit evropianë për gjetjen e një zgjidhjeje dhe për të theksuar problemet e transportuesve, të cilat sipas saj përbëjnë një kërcënim serioz për ekonominë.

Përveç transportuesve nga Maqedonia e Veriut, kamionë nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina do të parkojnë në pikat kufitare, ndërsa autobusët e udhëtarëve dhe automjetet personale nuk do të hasin pengesa në hyrje-dalje.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit