Transmetuar më 25-01-2026, 23:40

Francë, 25 janar 2026

Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar masa të reja të forta për kufizimin e përdorimit të teknologjisë nga fëmijët dhe adoleshentët, duke paralajmëruar ndalimin e telefonave celularë në shkolla dhe aksesit në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç.

Në një video të publikuar në rrjetet e tij zyrtare, Macron deklaroi se që nga fillimi i vitit të ardhshëm shkollor, përdorimi i telefonave celularë në ambientet shkollore do të ndalohet plotësisht, ndërsa fëmijët nën 15 vjeç nuk do të kenë më akses në platformat e mediave sociale. Presidenti theksoi se Franca synon të ndjekë shembullin e Australisë, e cila ka ndërmarrë masa të ngjashme për mbrojtjen e të miturve.

Kreu i Elizesë kërkoi gjithashtu përshpejtim të procesit ligjor për miratimin e këtyre masave, duke iu referuar një raporti të autoriteteve shëndetësore franceze. Sipas këtij raporti, një në dy adoleshentë kalon nga dy deri në pesë orë në ditë në telefonin celular, rreth 90% e fëmijëve të moshës 12–17 vjeç kanë akses në internet përmes celularëve, ndërsa 58% i përdorin ato kryesisht për rrjete sociale, të cilat sipas ekspertëve kanë pasoja të dëmshme për shëndetin mendor dhe zhvillimin e tyre.

“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është në shitje. Emocionet e tyre nuk janë në shitje dhe nuk duhet të manipulohen, qoftë nga platformat amerikane apo algoritmet kineze”, u shpreh Macron në mesazhin e tij, duke theksuar se mbrojtja e të miturve është një prioritet kombëtar.

Masat e paralajmëruara pritet të hapin një debat të gjerë në Francë dhe në Bashkimin Evropian mbi rolin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale në jetën e fëmijëve dhe adoleshentëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit