Transmetuar më 25-01-2026, 21:48

Tiranë, 25 janar 2026

Të ardhurat për frymë të shqiptarëve pritet të shënojnë rritje gjatë vitit 2026, sipas parashikimeve zyrtare të Ministrisë së Financave, të reflektuara në Kuadrin Makroekonomik 2027–2029. Sipas këtyre projeksioneve, çdo qytetar do të ketë mesatarisht 32.6 euro në ditë, rreth 1 euro më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Dokumenti parashikon që të ardhurat për frymë të arrijnë në 11.899 euro në vitin 2026, nga 11.260 euro që ishin një vit më parë. Rritja lidhet kryesisht me ecurinë pozitive të ekonomisë, shtimin e punësimit dhe rritjen e pagave, veçanërisht në sektorin publik.

Sipas Ministrisë së Financave, rritja ekonomike për vitin 2025 vlerësohet rreth 3.9%, ndërsa për vitin 2026 pritet të arrijë në 4.0%. Për periudhën 2027–2029, ekonomia parashikohet të rritet mesatarisht me 3.9% në vit, duke u mbështetur kryesisht te turizmi, aktiviteti ndërtues dhe rritja e pagave në administratën publike.

Nga ana tjetër, industria dhe bujqësia, sektorë që kanë shfaqur rënie gjatë dy viteve të fundit, pritet të kenë një kontribut neutral në rritjen ekonomike. Paralelisht, parashikohet rritje e konsumit dhe investimeve, si dhe ulje e nivelit të papunësisë në rreth 7.6%.

Bazuar në këto pritshmëri, qeveria planifikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto të arrijë në 27.8 miliardë euro në fund të vitit 2026, nga 26.4 miliardë euro në vitin paraardhës.

Sa i përket borxhit publik, ai pritet të vijojë të ulet vetëm në raport me PBB-në, duke zbritur në rreth 53.6% në vitin 2026. Megjithatë, në vlerë absolute, borxhi parashikohet të rritet nga 14.2 miliardë euro në 14.9 miliardë euro, çka do të thotë se borxhi për frymë këtë vit do të jetë rreth 6.183 euro për banor.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit