Transmetuar më 25-01-2026, 21:02

Orikum, 25 janar 2026

Situata nga zjarret në Orikum mbetet problematike, teksa flakët e përmasave të mëdha kanë përfshirë zonën e Kënetës, të favorizuara nga era e fortë që po fryn prej orësh.

Sipas raportimit të korrespondentit të Top Channel, Mikel Marsi, gjatë ndërhyrjes për shuarjen e zjarrit, një automjet zjarrfikës ka ngecur në mes të rrugës dhe ndodhet në rrezik serioz për të rrëshqitur drejt greminës në anë të saj. Për të garantuar largimin e sigurt të mjetit, kërkohet ndërhyrje urgjente me një skrep për ta tërhequr.

Ndërkohë, situata në zonë është rënduar edhe më tej nga era e fortë. Në Pyllin e Sodës, disa pisha janë rrëzuar mbi rrugë, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin drejt fshatit Zvërnec dhe duke rrezikuar automjetet që po lëviznin në këtë aks.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë Policia Rrugore dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë prerë pemët e rrëzuara dhe kanë bërë të mundur lirimin e rrugës, duke rikthyer qarkullimin normal të automjeteve. Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa apelojnë për kujdes të shtuar nga qytetarët për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit