

Policia e Kosovës ka zhvilluar një tjetër aksion në veri të Mitrovicës, ku gjatë një kontrolli në një banesë të braktisur janë zbuluar municion luftarak dhe granata dore. Armatimet janë gjetur në fshatin Rudar i Vogël, në komunën e Zveçanit.
Sipas njoftimit zyrtar, pas kontrollit policor janë sekuestruar gjithsej 9 granata dore, 538 fishekë dhe 3 karikatorë për armë automatike.
Në vendngjarje ka ndërhyrë edhe njësia për trajtimin e mjeteve shpërthyese (EOD), e cila ka bërë neutralizimin dhe trajtimin e tyre në mënyrë të sigurt.
Policia bën me dije se të gjitha veprimet janë kryer në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ky aksion vjen vetëm një ditë pas një tjetër operacioni në zonë, ku Policia e Kosovës sekuestroi 156 kilogramë eksploziv komercial në rrugën e Jagnjenicës, në komunën e Zubin Potokut, në një lokacion të pabanuar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






