

Prishtinë/Uashington/Bruksel, 25 janar 2026 Tensionet në rritje mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian po hapin hapësira të reja për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, me Kosovën që rrezikon të rikthehet në qendër të llogarive gjeopolitike të Moskës.
Për Kosovën, përpjekjet e Rusisë për të pasur “hise” në fatin e saj nuk janë të reja. Nga kundërshtimi i ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, te krahasimet me Krimenë e aneksuar dhe bllokimi i njohjeve ndërkombëtare, Moska ka qenë vazhdimisht kundërshtare e shtetësisë së Kosovës. Në një kontekst ku raportet transatlantike janë të tensionuara, analistët paralajmërojnë se ky ndikim mund të shfaqet më hapur.
Këtë javë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, konfirmoi se Rusia ka hapur kanale komunikimi me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në Ballkan, veçanërisht për Bosnje e Hercegovinën dhe vendet e tjera të rajonit, duke u shprehur e gatshme t’i thellojë këto kontakte. Ai la të kuptohet se edhe pala amerikane është e interesuar për një dialog të tillë.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me mundësinë e diskutimeve me Rusinë për Kosovën apo Bosnjën, si dhe për koordinimin me Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, BE-ja deklaroi se nuk mund të konfirmojë shkëmbime të tilla, duke theksuar se mbetet partneri kryesor politik, ekonomik dhe strategjik i Ballkanit Perëndimor.
Qeveria në detyrë e Kosovës nuk reagoi drejtpërdrejt ndaj deklaratave të Lavrovit, por kryeministri Albin Kurti, gjatë një aktiviteti në Davos, paralajmëroi për kërcënimin e tërthortë që, sipas tij, i vjen Kosovës nga Rusia përmes Serbisë, dy shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Ekspertët e sigurisë theksojnë se Rusia ka një rol aktiv në rajon, kryesisht përmes lidhjeve të saj me Serbinë dhe Republikën Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa ndikimi në vende si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut është më i kufizuar dhe shpesh indirekt. Sipas tyre, përmes dezinformatave, mediave proruse dhe ndikimit energjetik, Moska synon të ngadalësojë integrimin euroatlantik dhe të rrisë paqëndrueshmërinë.
Një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë thekson se një nga objektivat kryesore të Rusisë në Ballkanin Perëndimor është parandalimi i rreshtimit të Serbisë me Perëndimin, përmes mbështetjes së qëndrimit të saj ndaj Kosovës dhe pengimit të normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.
Analistët ndërkombëtarë paralajmërojnë se përçarja transatlantike i shërben interesave të Moskës, duke i dhënë asaj mundësi të shfrytëzojë krizat rajonale si karta negociuese. Në këtë kontekst, Kosova shihet si pjesë e një tabloje më të gjerë gjeopolitike, ku stabiliteti i rajonit varet nga bashkëpunimi i ngushtë mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.
Sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, Prishtina duhet të mbetet vigjilente ndaj përpjekjeve të mundshme për destabilizim dhe të forcojë më tej lidhjet me partnerët euroatlantikë, ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja pritet të intensifikojnë koordinimin për të frenuar ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






